Botë

Shtohen tensionet Madrid - Barcelonë para referendumit

Prefektja e Barcelonës, Ada Colau, i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që të ndërmjetësojë në krizën mes Katalonisë dhe qeverisë qendrore, në prag të referendumit për pavarësi, me një shkrim editorial në “The Guardian”, raporton KTV.

“Është obligimi im, si prefekte, që t’i bëj thirrje Komisionit Evropian që të krijojë hapësirë për ndërmjetësim mes qeverisë spanjolle e katalonase për të gjetur një zgjidhje demokratike”, ka shkruar ajo.

Barcelona nuk dëshiron përplasje me pasoja për vendin, vazhdon shkrimin Colau, duke theksuar se është e sigurt që as partnerët evropianë nuk e duan këtë.

Prefektja e Barcelonës është kundër pavarësisë së rajonit, por e ka dënuar sjelljen e kryeministrit Mariano Rajoy, duke thënë se akoma më shumë e ka komplikuar situatën në vend. Aksionet legale kundër zyrtarëve të Katalonisë vetëm sa do të ndikojnë në rritjen e tensioneve sociale dhe do të bllokojnë mundësinë për të gjetur zgjidhje për dalje nga tensioni.

“Qeveria spanjolle ka lejuar që konflikti në Kataloni të eskalojë nga çështje e brendshme, në konflikt evropian”, shkroi ajo duke potencuar se Evropa s’mund të qëndrojë pasive ndaj referendumit. Qeveria në Kataloni ka njoftuar se do të vazhdojë përpara me planin për referendum pavarësisht kundërshtimeve nga Madridi. E gjithë kjo situatë paraqet një prej krizave më të mëdha politike në vend që nga përfundimi i diktaturës. E, edhe vetë referendumi ka ndarë qytetarët e rajonit prej 7.5 milionë banorësh.