Botë

Merkel flet pas fitores: “Te qetësia qëndron forca”

Kancelarja Angela Merkel pas fitores, ndonëse me erozion rekord të elektoratit për CDU-në, në zjedhjet parlamentare të së dielës, u shpreh se e konsideron të mundshme që pavarësisht bisedimeve të vështira të koalicionit, ajo është e sigurt se deri në Krishtlindje do të mund t’u prezantojë një qeveri të qëndrueshme gjermanëve. Në raundin televiziv të Berlinit me kryetarët e partive kryesore të Bundestagut zhvilluar nga kanalet televizive publike ARD dhe ZDF, Merkel shprehimisht nënvizoi: «Unë jam në përgjithësi me besim. E përveç kësaj: prej shumë vitesh unë kam moton, që tek qetësia qëndron forca».

Kryesia e SPD-së deklaroi menjëherë pas shpalljes së rezultateve paraprake dhe humbjes së rëndë të saj, se do të dalë në opozitë. E mundshme mbetet, që koalicioni i ardhshëm qeverisës të përbëhet nga tri parti: CDU/CSU, FDP dhe Të Gjelbërit. Krijimi i një koalicioni të tillë konsiderohet i vështirë për shkak të diferencave të mëdha mes CSU-së dhe ekologjistëve. Shqetësohen bursat Bursat evropiane u treguan të kujdesshme, të shqetësuara nga mungesa e maxhorancës së qartë rreth kancelares Angela Merkel, në përfundim të zgjedhjeve në Gjermani.

Angela Merkel vërtet mori një mandat të katërt, por doli e dobësuar nga rezultati zhgënjyes dhe avancimi historik i të djathtës nacionaliste, që e vështirëson formimin e një maxhorance të re. ”Kancelarja do të kërkojë tashmë formimin e një koalicioni, me shumë gjasa me liberalët e FDP-së dhe të Gjelbërit, por ajo ështe ende në pozita më të dobësuara se më parë”, nënvizoi Tim Stevenson, drejtor i “Actions Européennes de Janus Henderson Investors”. “Si përfundim, kjo krijon një situatë të pasigurtë”, shtoi ai. “Pikëpyetje ngrihen mbi disa çështje evropiane të rëndësishme”, sipas tij. “Edhe pse presidenti francez, Emmanuel Macron ka nevojë për mbështetjen e Gjermanisë për rivitalizimin e ekonomisë evropiane, ai nuk është i sigurt që disa nga partnerët e Merkel të jenë dakord”, nënvizoi ai.

Eurostoxx 50 u ul me 0,10 për qind. Në Paris, CAC 40 u mbyll me rënie të lehtë (-0,27 përqind). Indeksi FTSE-100 i Londrës përfundoi me rënie të lehtë (-0,13%), duke humbur 9,35 pikë. Në Frankfurt, Bursa ishte e kujdesshme pas pasigurive nga rezultatet e zgjedhjeve gjermane. Indeksi Dax u mbyll me qendrueshmëri (0,02 për qind. Franca: Një fitore e hidhur Zëdhënësi i qeverisë franceze, Christophe Castaner u shpreh sot për një “fitore të hidhur” për Angela Merkel në zgjedhjet parlamentare ku u evidentua një avancim i shpejtë i ekstremit të djathtë, shumë i dhunshëm, shumë i ashpër, shumë radikal, aq më tepër kur bëhet fjalë për Gjermaninë. ”Fillimisht duhet përshëndetur fitorja e Angela Merkel.

Është e katërta dhe në Francë kur konstatohet që një drejtues qeverie të fitojë katër herë radhazi mbetet një fakt mjaft për t’u admiruar”, deklaroi zëdhënësi i qeverisë farnceze për mediat RMC dhe BFMTV. “Më pas, po, po konstatohet që kjo fitore është e hidhur. Të lë një shije të hidhur, pasi po konstaton rritjen e një ekstremi të djathtë mjaft të dhunshëm, mjaft të ashpër, mjaft radikal aq më tepër kur bëhet fjalë për Gjermaninë. Është një fakt që lë gjurmë”, shtoi Castaner. Partia e së djathtës nacionaliste, AfD, regjistroi të dielën një fitore historike për një lëvizje të këtij formati në zgjedhjet gjermane, duke thyer një tabu në këtë shtet i gjendur përballë një sfide të re, sipas deklaratave të Angela Merkel. Macron nuk e përmendi fitoren e AfD në mesazhin e publikuar të dielën në mbrëmje në Twitter.

Në pushtet prej 12 vitesh me tre mandate, Angela Merkel u shpall fituese në krye të konservatorëve gjermanë në legjislativet e së dielës, por e dobësuar nga suksesi historik i së djathtës nacionaliste dhe nga vështirësitë për të gjetur partnerë për të qeverisur, pas refuzimit të socialdemokratëve për një koalicion të ri. Liberalët gjermanë, me shumë gjasa partnerë të Merkel në qeverinë e ardhshme, paralajmëruan që të dielën se do të kundërshtonin projektbuxhetin e zonës euro të Emmanuel Macron. “Është thelbësore në marrëdhëniet franko-gjermane që të ketë një motor që mundëson të ndryshojë gjërat në planin evropian dhe, Emmanuel Macron që ka punuar me të, do të prezantojë nesër një udhërrëfyes për të transformuar në thellësi Evropën”, vijoi Castaner.

Urimet e populistëve europianë

Kryetarja e Frontit Nacional në Francë, Marine Le Pen, deklaroi në Twitter: “Një bravo për aleatët tanë të AfD-së për këtë rezultat historik.” Ky është “një simbol i ri për zgjimin e popujve europianë”. Edhe populisti i djathtë holandez Geert Ëilders uroi AfD: “Urime Frauke Petry dhe AfD!!”, shkruan Ëilders në Tëitter. Sekretari i përgjithshëm i populistëve të djathtë të Austrisë, Herbert Kickl, tek ky rezultat sheh të pasqyrohet dëshira e zgjedhësve për ndryshime në Europë. Kancelarja Angela Merkel përmes politikës së saj “Refugees- Welcome” ka bërë dëm.