Vullneti i separatistëve katalanas për të organizuar një referendum vetëvendosjeje përfiton nga një mbështetje e fortë në Skoci, tre vite pas një përpjekjeje të dështuar të indipendentistëve në këtë territor britanik, ndërkohë që gjithnjë e më shumë zëra po ngrihen kundër ndalimit të saj nga Madridi, që e gjykojnë si antidemokratike.
“Ne mbështesim katalanasit”, tha Rory Steel, përgjegjës i organizatës së të rinjve të Partisë Nacionale Skoceze (SNP), që po përgatitet të niset për në kryeqytetin katalanas, në Barcelonë, me rreth 20 të rinj indipendentistë, transmeton atsh.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Ne do të shkojmë atje, kryesisht për të mësuar diçka më shumë për ata, të shkëmbejmë eksperiencat dhe ekspertizën tonë (…) por gjithashtu për t’i mbështetur”, shpjegon ai.
Një tjetër delegacion, i përbërë nga personalitete politike dhe shkrimtarë, parashikon të shkojë si mision vëzhgues ndërkohë që Madridi filloi javën e kaluar një operacion të gjerë policor dhe gjyqësor në Katalonjë.
Kryeministrja skoceze, Nicola Sturgeon kishte bërë thirrje që të enjten për respektimin e të drejtës së vetëvendosjes në Katalonjë duke shpresuar për një rikthim të dialogut mes Madridit dhe Barcelonës.
Nëse Strugeon e pranoi se është krejtësisht legjitime për Spanjën t’i kundërvihet pavarësisë së Katalonjës, ajo e cilësoi si shumë shqetësues faktin që një shtet, cilido qoftë ai, t’i mohojë të drejtën një populli që të shprehë në mënyrë demokratike vullnetin e tij.
“E drejta e vetëvendosjes së popujve është një parim ndërkombëtar i rëndësishëm dhe shpresoj vërtetë se do të respektohet në Katalonjë dhe kudo”, deklaroi këtë javë kryetarja e partisë indipendentiste skoceze SNP para parlamentit rajonal në Skoci.
Jo vetëm nacionalistët
Mbështetja skoceze nuk vjen vetëm nga nacionalistët, madje rreth 15 deputetë skocezë, që i kundërvihen ose jo pavarësisë së territorit të tyre, anëtarë të SNP-së por gjithashtu të Partisë Laburiste, Partisë Liberaldemokrate apo Partisë së Gjelbërt, kanë firmosur një letër të hapur për kryeministrin spanjoll, Mariano Rajoy, ku dënojnë veprimet e qeverisë së tij.
“Qeveria spanjolle thotë se po vepron për të mbrojtur demokracinë por kërcënimet për të vepruar në drejtësi kundër qindra përfaqësuesve të zgjedhur në mënyrë demokratike dhe veprimet represive kundër një qeverie të zgjedhur, organziatave mediatike dhe qytetarëve nuk janë në asnjë rast veprime demokratike”, paralajmëruan ata.
“Më e keqja që mund të bëjmë tani, është që të lëmë regjimin e Madridit të shtypë demokracinë në Katalonjë”, kishte thënë ish-deputeti i SNP-së George Kerevan, themelues i një grupi parlamentar shumëpartiak për Katalonjën.
“Nëse besoni në një demokraci skoceze, nëse besoni në të drejtën e Skocisë për të votuar, atëherë ju duhet të mbroni të drejtën e Katalonjës për të votuar. Ne jemi katalanas dhe katalanasit janë skocezë”, thekson ai.
Një precedent për Skocinë?
Partia Nacionale Skoceze SNP, kishte marë nga Londra miratimin e organizimit të një referendumi mbi pavarësinë e Skocisë në shtator 2014, që e humbën, ku 55 për qind të votuesve zgjodhën të qëndrojnë në Britani të Madhe.
Si ata që ishin pro pavarësisë dhe kundërshtarët e përshëndetën këtë fushatë si një model të angazhimit demokratik.
Por, veprimet e kryera në Spanjë për të penguar votimin, si bllokimi i miliona fletëve votimi, ka tronditur Skocinë, ku disa i tremben faktit se kjo mund të frymëzojë Londrën nëse qeveria spanjolle arrin qëllimet e saj.
“Nuk është e pamundur që shteti britanik të bëjë të njëjtën gjë në vitet që vijnë nëse Skocia lëviz drejt pavarësisë”, vlerësoi Jonathon Shafi, themelues i Fushata Radikale për Pavarësi.
“Nëse lejojmë shtetin spanjoll të krijojë një precedent (…) atëherë ky precedent nuk do të vlejë vetëm për Spanjn, por gjithashtu për Britaninë e Madhe dhe përtej”, vazhdoi ai.
“Kjo është një çështje për Evropën si e tërë dhe mbi të gjitha për demokracinë”, theksoi Shafi.