Botë

Sondazhi, 40 për qind e myslimanëve europianë ndjehen të diskriminuar

Diskriminimi kundër myslimanëve të Europës po rritet me dy në pesë prej tyre, ose 40 për qind, që thonë se janë përballur me trajtime të padrejta në rastet kur kanë kërkuar një vend pune, apo një shtëpi, por edhe në shërbimet publike si edukimi apo kujdesi shëndetësor.

të parin raport të këtij lloji në një dekadë, thuhet se rreth 30 për qind e të anketuarve në një sondazh thonë se janë fyer dhe 2 për qind janë sulmuar edhe fizikisht në 12 muajt e kaluar. Sondazhi i zhvilluar nga fundi i 2015 dhe fillimi i 2016 i Agjencisë për të Drejtat e Njeriut të BE-së ka pasur në qendër 10.500 myslimanë në 15 shtete europiane si Franca, Gjermania, Holanda, Spanja, Suedia dhe Britania e Madhe. Pjesa më e madhe e atyre që janë trajtuar padrejtësisht në pesë vitet e shkuara, sipas vëzhgimit, mendojnë se shkak për këtë ka qenë emri, ngjyra e lëkurës apo pamja e tyre. Rreth 17 për qind thonë se ndihen të diskriminuar në mënyrë të drejtpërdrejtë prej besimit të tyre. Rreth 40 për qind e grave që mbajnë shami, apo perçe në publik ndjejnë se ajo është shkak i diskriminimit të tyre kur kërkojnë një vend pune. Më shumë se 30 për qind e grave që mbajnë veshje tradicionale apo fetare, thonë se janë ngacmuar, kryesisht nëpërmjet gjesteve fyese apo komenteve. Vetëm 12 për qind e myslimanëve që kanë përjetuar diskriminimin dhe 9 për qind e atyre që janë ngacmuar, thonë se kanë marrë mundimin t’i raportojnë rastet. Vëzhgimi po ashtu ka dalë në përfundimin se 47 për qind e burrave të ndaluar nga policia thonë se besojnë se shkak ka qenë veshja e tyre tradicionale. Raporti vjen në një kohë tensionesh të larta, të ndezura akoma më shumë nga kriza e emigrantëve e viteve 2015, 2016 si edhe nga vala e sulmeve terroriste dhe rritja e partive anti-islam në Francë, Holandë dhe Gjermani. Sipas raportit, myslimanët e Europës, që përbëjnë rreth 4 për qind të popullatës së kontinentit kanë një nivel besimi nën mesataren tek institucione si policia apo sistemi i drejtësisë në vendin ku jetojnë.