Arbëri

12 miljet e kontestuar të kufirit detar Shqipëri - Greqi

Descriptive Text

Ditmir Bushati ka drekuar me homologun NIkos Kotzias në tavernën “Avra”, një nga superestorantet luksoze në “Madison Avenue”, jo shumë larg pallatit të qelqtë të Kombeve të Bashkuara.

Vendi i zgjedhur nuk le dyshime se kush ka paguar drekën, por ndërkohë klimën e ngrohtë e ka konfirmuar vetë ministri i Jashtëm, i cili ka publikuar një foto, ku dy ministrat duken tejet të çliruar nga kostumi i diplomatit.

Siç vetë Bushati shkruan, kryefjalë ka qenë vijimi i punës së nisur për adresimin e të gjitha çështjeve dypalëshe, bazuar mbi të drejtën ndërkombëtare dhe me frymë europiane.

“Tanimë kemi arritur në një moment përcaktues ku së bashku me homologun Kotzias do të kemi një ekip ekspertësh për t’i trajtuar edhe në një gjykim edhe më politik këto çështje dhe më pas për t’ua prezantuar dy kryeministrave tanë. Nuk është një proces i lehtë, por mund të them që edhe nga dreka që pata me zotin Kotzias, konstatoj që ka një gatishmëri nga ana e Greqisë për t’u përfshirë në këtë proces”, deklaron ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati.

Padyshim çështja më kryesore janë 12 miljet e kufirit detar mes Shqipërisë dhe Greqisë, një çështje, të cilën Greqia e ka të hapur jo vetëm me vendin tonë, por edhe me Turqinë.

Ndoshta rastësisht, por vetëm pak orë pas këtij takimi shumë miqësor në dukje, Edi Rama është takuar me presidentin e Turqisë Rexhep Taip Erdoan, i njohur për raportet e tij të shkëlqyera me kryeministrin shqiptar.

Nuk dihet nëse në diskutimin e tyre ka qenë çështja e 12 miljeve, por siç raportojnë mediat turke takimi, i cili ka zgjatur rreth 30 minuta ka pasur në fokus marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve dhe projektet konkrete e mundësitë për investime në Shqipëri .

Takimi mes tyre është mbajtur në hotelin superluksoz “Peninsula”, ku qëndronte presidenti Erdogan.