Ndihmësi i Trumpit “ka dashur t'i ofrojë informacione” një oligarku rus

Ndihmësi i Trumpit “ka dashur t'i ofrojë informacione” një oligarku rus

21 shtator 2017 08:12

Paul Manafort, ish-udhëheqës i fushatës së presidentit amerikan, Donlad Trump, ka qenë i gatshëm t'i ofrojë informacione në lidhje më fushatën e vitit të kaluar një miliarderi rus, me lidhje të afërta me Kremlinin, raportojnë mediat amerikane.

"Nëse ka nevojë për informacione private, ne mund ta rregullojmë", ka shkruar Manafort në emailin e një ndërmjetësi midis tij dhe manjatit rus të aluminit, Oleg Derispaska, raporton Washington Post dhe Associated Press.

Të dyja burimet thonë se zëdhënësi i Manafortit e ka konfirmuar shkëmbimin e emaileve.

Washington Post thotë se Manafort i ka shkruar email Konstantin Kilimnikut, i cili ka punuar me të në konsultimet politike në Ukrainë.

Manafort i ka kërkuar Kilimnikut ta kalojë ofertën për informacione private te Deripaska, por nuk është e qartë nëse oferta ka arritur tek ai, shkruan Washington Post.

Manafort është një nga këshilltarët e afërt të Trumpit, të cilët po hetohen nga këshilltari i posaçëm i Departamentit amerikan të Drejtësisë, Robert Mueller, për ndërhyrjen e dyshuar të Rusisë në zgjedhjet amerikane.

Manafort është bërë udhëheqës i fushatës së Trumpit në qershor të vitit 2016, por është detyruar të japë dorëheqje dy muaj më vonë, pas raporteve për lidhjet e tij biznesore me partinë e ish-presidentit pro-rus të Ukrainës, Viktor Yanukovych.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme