Washington: Protestuesit pro dhe anti-Trump përfundojnë në përqafim Foto: Reuters

Washington: Protestuesit pro dhe anti-Trump përfundojnë në përqafim

17 shtator 2017 15:15

Disa qindra përkrahës të Presidentit Donald Trump u mblodhën të shtunën pasdite para Monumentin të Washingtonit, në një aktivitet të quajtur “Nëna e të gjitha mitingjeve”.

Në protestë papritur u përfshinë një grup aktivistësh të lëvizjes “Jeta e zezakëve është e rëndësishme”, pranë skenës ku po zhvillohej mitingu pro -Trump. Tensioni i momentit u kapërcye, kur një folës në mitingun pro-presidentit i ftoi palën tjetër të protestuesve në skenë:

“Ne u themi atyre se edhe ne i duam. Nëse duan të jenë në qendër të vëmendjes, le të vijnë këtu bashkë me ne”, tha protestuesi pro-Trump, raporton VOA.

Organizatori i protestës pro-Trump i dha njërit prej protestuesve të palës tjetër mikrofonin:

“Edhe ne duam ta bëjmë Amerikën madhështore përsëri. Le ta bëjmë këtë gjë së bashku”.

Të dyja palët folën në miting për unitet dhe për fillimin e një dialogu, pastaj përqafuan njëri-tjetrin dhe shtrënguan duart miqësisht:

“Ndjehem shumë mirë. M’u duk sikur ndërtuam një urë, se po ndihmoja dy njerëz që nuk merreshin vesh, që ta kuptojnë më mirë njëri tjetrin. Kjo është diçka shumë e veçantë. Unë mendoj se kështu mund të ecet përpara”, tha protestuesi anti-Trump.

Përkrahësit e Trumpit kishin shpresuar që në mitingun e tyre të mblidheshin mijëra vetë, por në fund, qindra demonstrues valëvitën flamujt në mbështetje të presidentit, i cili kishte shkuar për fundjavë në klubin e tij të golfit në Nju Xhërsi. Javën e ardhshme ai do të marrë pjesë në takimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Mitingu pro-Trump u mbajt pas një tjetër proteste të aktivistëve anti-Trump pranë Shtëpisë së Bardhë, që cilët kërkuan që Presidenti të mbajë një qëndrim më të ashpër ndaj Presidentit rus Vladimir Putin, si përgjigje ndaj ndërhyrjes së Moskës në zgjedhjet presidenciale.

Në Washington pati të shtunën edhe një tjetër grumbullim, ku grupi i muzikës Hip Hop, ICP, dhe rreth 1 mijë admirues të tyre, të vetëquajtur

“Juggalos” u mblodhën pranë Memorialit të Lincolnit, për të protestuar ndaj qeverisë federale, që e ka cilësuar si “bandë rrugësh”.

Marshuesit mbanin parulla ku shkruhej “Muzika nuk është krim” dhe “Unë jam Juggalo, jo anëtar bande”.

Në një raport të vitit 2011 të FBI-së “Juggalo” cilësohej si “një grup që sillen si gangsterë dhe janë angazhuar në aktivitet kriminal dhe dhunë”.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme