Botë

Koreja e Veriut lëshon një raketë mbi ishullin Hokaido, Japonia në alarm

Koreja e Veriut ka kryer një tjetër test, duke lëshuar një raketë e cila ka kaluar mbi territorin japonez.

Sipas agjencisë koreano-jugore të shtypit, “Yonhap”, të cilës i janë referuar mediat ndërkombëtare, testi është realizuar në kryeqytetin Phenian.

Raketa ka fluturuar rreth 3.700 km dhe është përplasur në Paqësorin e Veriut.

Ky veprim i Koresë së veriut, vjen fill pas miratimit të një pakete të re sanksionesh ndaj saj, nga Këshilli i Sigurimit në OKB.

Ende nuk dihet raportohet nëse ky test i radhës ka rezultuar i suksesshëm apo jo, ndërsa raketa ka kaluar mbi territorin japonez.

Ndërkohë, Koreja e Jugut dhe SHBA, janë duke analizuar detajet dhe të dhënat e raketës së sapo lançuar, raporton agjencia e lajmeve Yonhap.

Gjithashtu, pallati presidencial i Koresë së Jugut, Shtëpia Blu, ka thirrur një takim urgjent të Këshillit Kombëtar të Sigurimit.

“Nhk”, televizioni kryesor i Japonisë, ka bërë të ditur se raketa ka fluturuar mbi ishullin japonez të Hokaidos.