Botë

Del në treg libri i ri i Hillary Clintonit, “Çfarë ndodhi”

Si pothuajse gjithçka që ka të bëjë me Hillary Clintonin, edhe libri i saj i titulluar “What Happened”(Çfarë ndodhi), ka ngjallur reagime të kundërta. Është grupi që e priti me padurim dhe që mendon se shumë faktorë sollën humbjen e saj dhe libri i përshkruan ato me vërtetësi. Por janë edhe ata që urojnë që Hillary Clinton të mos monopolizojë më qendrën e vëmendjes dhe të largohet nga skena, pasi është vetë fajtore për humbjen.

Në librin e saj, që po përshkruhet si transparent dhe i mprehtë, Clinton përjeton edhe një herë humbjen e saj, duke pranuar gabimet dhe duke mbrojtur strategjinë e fushatës së saj. Por libri kthen gjithashtu vëmendjen tek një garë që demokratëve ende nuk u besohet që e humbën, shkruan VOA.

Clinton, megjithëse ka një reputacion se nuk pranon përgjegjësi për dështimet, i përshkruan gabimet e saj, duke e pranuar se ishte përgjegjësia e saj si kandidate që zgjedhjet u fituan nga Donald Trump, për të cilin ajo nuk i kursen kritikat, duke e quajtur në libër “një rrezik të qartë dhe të pranishëm për vendin dhe botën”.

Ndërsa në një intervistë që dha për USA Today, Clinton thotë se është e bindur se kishte pasur bashkëpunim mes Rusisë dhe zyrtarëve të fushatës së Donald Trumpit. Po ajo përmend disa faktorë dhe persona që ajo beson se kontribuuan në humbjen e zgjedhjeve.

Ajo nuk i kursen kritikat për Trumpin dhe përmend si arsye të tjera ndërhyrjen e hakerave rusë, akuzat ndaj saj nga drejtori i FBI-së James Comey; betejën përçarëse në zgjedhjet paraprake nga Bernie Sanders, si edhe seksizmin.

Edhe ish-Presidenti Barack Obama, nuk përjashtohet në librin e saj. Ajo shkruan se pyet veten herë pas here se çfarë do të kishte ndodhur nëse Presidenti Obama do të kishte mbajtur një fjalim para kombit në vjeshtë të vitit të kaluar ku të thoshte se demokracia amerikane po sulmohej, duke iu referuar faktit që Obama ishte në dijeni të ndërhyrjes ruse.

Ajo gjithashtu tregon se ish-presidenti i kishte sugjeruar që të mos ta sulmonte Sandersin në garën e demokratëve, megjithëse ajo donte ta thoshte hapur që planet e tij nuk ishin realiste dhe ishin më shumë ëndrra me sy hapur.

Clinton i hedh poshtë në libër kritikat se fushata e saj nuk i kushtoi rëndësi pjesës qendrore të Amerikës dhe klasës së mesme. Ka nga ata që e quajnë ironik faktin që ajo do të shkojë të prezantojë librin në zonat të cilave nuk i kushtoi rëndësi dhe nuk arriti t’i fitonte. Zemërimin më të madh ajo e ka quajtur për Comeyn. Ajo shkruan se të gjitha teoritë për arsyet e humbjes duhet të vihen përballë provave se po fitonte deri më 28 tetor, kur Jim Comey iu rikthye çështjeve të emaileve të saj duke thënë se po rihapte hetimin.

Megjithëse e quan “budallallëk” përdorimin e serverit privat në Departamentin e Shtetit, ajo akuzon Comeyn se e njollosi imazhin e saj dhe e konsideron të nxituar rihapjen e hetimit.

Shumë demokratë nuk e kanë pritur me entuziazëm rikthimin e saj në skenë, pasi druhen se mund të shkaktojë një tjetër betejë të brendshme në parti mes përkrahësve të saj më centristë dhe atyre më progresistë të Sanders.

Clinton e quan presidentin Trump “një rrezik të qartë dhe të pranishëm për vendin dhe botën”.

Ajo shpreh gjithashtu pakënaqësinë ndaj asaj që e quan një mbulim të padrejtë nga media dhe thotë se mendon se pjesërisht ka të bëjë me faktin që është grua.