Botë

Irma lë pas shkatërrimin në Florida, shkon drejt Xhorxhas

Uragani Irma përshkoi Karaibet javën e kaluar duke shkaktuar vdekje dhe shkatërrim në ishuj, para se të godiste në Florida. Ekspertët thonë se Irma është stuhia më e madhe dhe më e gjatë e kategorisë 5, në historinë e Atlantikut. Rreth 40 vetë kanë humbur jetën, disa prej të cilëve në Florida.

Autoritetet po dërgojnë ekipe ndihmash për të ndihmuar viktimat, për të rikthyer energjinë elektrike dhe për të vlerësuar dëmet në Florida, ndërsa shtetet e Xhorxhas dhe Alabamës marrin masat për të përballuar stuhinë që tashmë është dobësuar.

Irma shkaktoi humbjen e energjisë elektrike për mbi 6 milionë shtëpi në Florida dhe shkatërrimet në ishujt Keys ngjajnë si në një zonë lufte. Ishujt janë shkëputur nga pjesa kontinentale, pasi rrugët dhe urat që i lidhin janë dëmtuar, shkruan VoA.

Zyrtarët në pjesën më afër kontinentit të ishujve Keys, po lejojnë banorët dhe pronarët e bizneseve të kthehen, pas uraganit. Zyrtarët paralajmëruan banorët se shërbimet do të jenë të kufizuara. Shumë zona janë ende pa energji elektrike dhe ujë. Shumica e pikave të karburantit në Key Largo janë ende të mbyllura.

Shtëpia e Bardhë tha të hënën se megjithëse stuhia është dobësuar, ajo vazhdon të mbetet e rrezikshme. Një zëdhënës tha se qyteti Xheksonvill në brigjet lindore, ka përjetuar përmbytjet më të rënda prej një shekulli.

“Prandaj ndërsa përmbytjet vazhdojnë, ne po vazhdojmë me operacionet për të shpëtuar jetë dhe për t’u kujdesur për banorët dhe shpresojmë që të mos ketë aktualisht njerëz të bllokuar nga ujërat e përmbytjeve”.

Qindra kamionë të shërbimeve elektrike shkuan të hënën për të rilidhur energjinë elektrike nëpër lagjet, që e kishin humbur atë pas stuhisë.

“Kompanitë energjetike nga i gjithë vendi po shkojnë atje dhe madje deri nga Kanadaja. Pra ka dhjetëra-mijëra punonjës që janë mobilizuar nga i gjithë vendi dhe që po shkojnë të ndihmojnë për rikthimin e energjisë elektrike”.

Bregu perëndimor i shpëtoi pasojave më të rënda, por erërat e fuqishme dëmtuar shumë shtëpi dhe pemë.

“M’u mbushën sytë me lot kur pashë pemët e rrëzuara. Të mendosh për sa vjet kanë qenë këtu dhe Nëna Natyrë ishte kujdesur aq shumë për to dhe të shihje aq shumë prej tyre të shkatërruara”.

Para se të godiste Floridën, Irma solli shkatërrim në Karaibe. Pothuajse të gjitha shtëpitë në ishullin e Barbudës ishin shkatërruar.

“Është ishull i vogël. Nuk e përballonte dot një uragan të tillë gjigant si Irma. Uragani Irma, për sa u takon përmasave, ishte më i madh sesa ishulli i Barbudës”.

Ronald Sanders, Ambasador i Barbudës dhe Antiguas në Shtetet e Bashkuara, i tha Zërit të Amerikës se kjo ishte stuhia më e fuqishme që godiste Barbudën në 300 vjet dhe se të gjithë banorëve u ishte dashur të zhvendoseshin.

“Nuk ka energji elektrike, nuk ka ujë të pijshëm, nuk ka ndërtesa ku të jetojnë”.

Ambasadori tha se rindërtimi do të dojë struktura që mund t’i rezistojnë stuhive të ardhshme, që do të bëhen më të fuqishme si rezultat i ngrohjes globale.

Stuhia që tani është dobësuar por vazhdon të jetë e rrezikshme, po zhvendoset përmes Xhorxhës dhe drejt Alabamës. Të dyja shtetet kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme.