Botë

Rusia: Mbyllja e konsullatës në SHBA një akt armiqësor

Moska po i kërkon Uashingtonit që ta rishqyrtojë urdhrin për mbylljen e tre objekteve diplomatike, duke e quajtur atë një “akt armiqësor”.

Në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme të Rusisë thuhet se “e konsiderojmë atë çfarë ndodhi si një akt të hapur armiqësor dhe një shkelje të rëndë të ligjit ndërkombëtar prej Uashingtonit. I bëjmë thirrje autoriteteve amerikane që t'i thërrasin mendjes dhe të kthejnë mbrapsht menjëherë pronat diplomatike të Rusisë, ose i gjithë faji për degradimin e vazhdueshëm të marrëdhënieve tona do të mbetet mbi SHBA-në”.

Departamenti amerikan i Shtetit informoi dje se pati marrë nën kontroll tre poste diplomatike të zbrazura nga Rusia, në bazë të kërkesës së qeverisë amerikane.

Në një email të djeshëm të një zyrtari të Departamentit të Shtetit sqarohet se objektet u inspektuan bashkërisht me zyrtarët rusë dhe se nuk pati kontrolle me forcë, siç nënkuptohej në deklaratat e Ministrisë së Jashtme të Rusisë.

Kremlini ka akuzuar Uashingtonin për taktika shantazhi dhe pretendoi se zyrtarë të FBI-së patën kërcënuar të hynin me forcë në njërin prej objekteve.

Ndërtesa në Uashington ishte një ndër tre objektet që u mbyllën pasi Shtetet e Bashkuara dhe Rusia u angazhuan në një zinxhir veprimesh ndëshkimore gjatë muajve të fundit. Dy objektet e tjera diplomatike që u mbyllën në bazë të urdhrit, ndodhen në San Francisco dhe New York.