Botë

BE përshëndet marrëveshjen Vuçiq-Zaev

Bashkimi Evropian (BE) ka përshëndetur sot zgjidhjen bilaterale të çështjes ndërmjet Serbisë dhe Maqedonisë.

Me rastin e arritjes së marrëveshjes prej pesë pikave ndërmjet presidentit serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrit maqedonas Zoran Zaev, në Komisionin Evropian vlerësojnë se kjo çështje është zgjidhur me “qasje konstruktive’ nga ana e të dyja palëve.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev kanë arritur pajtim për pesë pika:

-Serbia dhe Maqedonia do të zgjedhin përmes dialogut çdo mos pajtim eventual në marrëdhëniet reciproke.

-Pavarësisht nga dallimet politike për çështje të caktuara të rëndësishme politike dhe rajonale, Serbia dhe Maqedonia do të angazhohen së bashku jo vetëm për ruajtjen, por edhe avancimin e marrëdhënieve miqësore të popullit serb dhe atij të Maqedonisë.

-Serbia dhe Maqedonia do të bëjnë përpjekje më të mëdha për avancimin e mëtejmë të marrëdhënieve ekonomike dhe rritjen e shkëmbimeve tregtare të dyja vendeve.

-Po ashtu, Serbia dhe Maqedonia, në pajtim me rregullat ndërkombëtare, do të mbrojnë të drejtat dhe interesat e përfaqësuesve të tyre diplomatikë në territoret e këtyre vendeve.

-Serbia dhe Maqedonia do të intensifikojnë komunikimin reciprok në nivelin më të lartë, duke mbështetur njëra-tjetrën në rrugën evropiane dhe forcimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore, duke kontribuuar në stabilitetin rajonal.

Në pikat e lartpërmendura Vuçiq dhe Zaev nuk përmendin tema, të cilat kanë shkaktuar probleme diplomatike ndërmjet dy vendeve- çështja e anëtarësimit të Kosovës në UNESCO.