Botë

OKB: Katërfishohet numri i fëmijëve vetëvrasës në Nigeri

Numri i fëmijëve që shfrytëzohen si sulmues vetëvrasës nga grupi terrorist Boko Haram është katërfishuar brenda një viti, tha Fondacioni për Fëmijë i Kombeve të Bashkuara (UNICEF).

"Që nga fillimi i vitit, 83 fëmijë janë shfrytëzuar si 'bomba njerëzore' në verilindje të Nigerisë", thuhet në raportin e UNICEF-it.

Pesëdhjetepesë prej tyre kanë qenë vajza, shumica më të reja se 15 vjeçe, 27 kanë qenë djem dhe një ka qenë foshnje e lidhur për një vajzë, shtoi UNICEF.

Për krahasim, rreth 20 fëmijë janë përdorur si sulmues vetëvrasës gjatë gjithë vitit të kaluar.

Rritja dramatike e numrit të tyre ndodh në kohën e një urie masive dhe krizës së zhvendosjes në verilindje të Nigerisë.

Rreth 1.7 milion njerëz janë zhvendosur nga sulmet e vazhdueshme të Boko Haramit në rajon.

Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar se rreth 450,000 fëmijë janë në rrezik nga kequshqyerja këtë vit.

Boko Haram, i cili thirret në një interpretim strikt të Ligjit të Sheriatit, ka vrarë mbi 20,000 njerëz në Nigeri, si dhe në vendet fqinje: Çad, Niger dhe Kamerun.