Botë

SHBA-ja do ta mbrojë Japoninë në rast sulmi

Descriptive Text

SHBA-ja është e gatshme për të mbrojtur Japoninë në rast të përballjes me ndonjë sulm nga Koreja e Veriut, tha shefi i Shtabit të Përgjithshëm amerikan, Joseph Dunford pas takimit me homologun japonez Katsutoshi Kawano në Tokio.

Shefi i shtabit të përgjithshëm amerikan këmbënguli të premten, në adresë të Koresë së Veriut, në forcën e aleancës me Japoninë, duke theksuar se SHBA-ja ishte e gatshme për të mbrojtur arkipelagun në rast sulmi.

Gjenerali Joseph Dunford, në vizitë në Tokio në përfundim të një turneu në Azi, u takua me homologun japonez, Katsutoshi Kawano, para se të takohej me kryeministrin, Shinzo Abe.

Ky takim u zhvillua pas provokimeve ushtarake të Phenianit, që kërcënoi për lëshimin e raketave në afërsi të ishullit amerikan të Guamit, në Paqësor.

“Mendoj se ia kemi bërë të qartë Koresë së Veriut dhe pjesës tjetër të rajonit se një sulm mes nesh është një sulm kundër dy vendeve tona”, deklaroi Joseph Dunford.

I graduari më i lartë i ushtrisë amerikane përmendi angazhimin e palëkundur të ShBA-së për sigurinë e aleatit të saj japonez, tashmë rikonfirmuar një ditë më parë nga ambasadori i ri në Tokio, Bill Hagerty, si dhe gjatë takimit 2+2 në Uashington mes ministrave të Punëve të Jashtme dhe të Mbrojtjes së dy vendeve.