Botë

Në Pakistan shënohet 70 vjetori i pavarësisë

Në Pakistan sot kanë filluar manifestimet me rastin e shënimit të 70 vjetorit të shtetësisë dhe pavarësisë së këtij vendi.

Presidenti i Pakistanit, Mamnoon Hussain, e ka ngritur flamurin kombëtar në ceremoninë e mbajtur në kryeqytetin Islamabad, në të cilën ishte i pranishëm edhe kryeministri, Shahid Khaqan Abbasi, dhe mysafiri i lartë nga Kina, zëvendëskryeministri, Wang Yang.

Manifestimet kanë filluar me të shtëna të nderit nga armët në Islamabad dhe në secilin prej katër kryeqytetve provinciale në Pakistan.

Pakistani e ka fituar pavarësinë kur britanikët u larguan nga India dhe e ndanë nënkontinentin në vitin 1947, me ç’rast ishte shkaktuar njëra nga kryengritjet më të dhunshme në shekullin e 20-të.

Për pakistanezët, ky përvjetor po ndodhë në kohën e trazirës politike, pasi Gjykata Supreme e ka shkarkuar kryeministrin e mëparshëm, Nawaz Sharif.

Në pjesën më të madhe të historisë së Pakistanit, ky vend është udhëhequr nga sundimi ushtarak.

India, që është rival historik i Pakistanit, pavarësinë e vet e shënon nesër.

Këto dy shtete, që kanë armatim atomik, kanë raporte tejet të tensionuara, kryesisht për shkak të territorit të kontestuar në Kashmir, për shkak të të cilit Pakistani dhe India i kanë zhvilluar dy luftëra.