Del Ponte thotë se ka dëshmi të mjaftueshme për dënimin e Assadit për krime lufte Foto: Koha / arkiv

Del Ponte thotë se ka dëshmi të mjaftueshme për dënimin e Assadit për krime lufte

13 gusht 2017 11:50

Komisioni i OKB-së për Hetime në Siri ka mbledhur dëshmi të mjaftueshme në mënyrë që presidenti Bashar al-Assad të dënohet për krime lufte, ka thënë anëtarja e mirënjohur e komisionit, Carla del Ponte.

Del Ponte, 70 vjeçe, që ka ndjekur krimet e luftës në Ruandë dhe ish-Jugosllavi, javën që shkoi njoftoi se do të dorëhiqet nga roli i saj për shkak të zhgënjimit me dështimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të vazhduar punën e komisionit për të themeluar një tribunal special për Sirinë që do të gjykonte kriminelët e dyshuar të luftës.

Ajo s’ka treguar se kur do të largohet nga ky post.

E pyetur në një intervistë për gazetën zvicerane “SonntagsZeitung” nëse ka dëshmi të mjaftueshme që Assadi të dënohet për krime lufte, ajo tha: “Por, jam e bindur se ka mjaftueshëm. Për këtë arsye edhe situata është shumë zhgënjyese. Puna përgatitore është kryer. E edhe përkundër kësaj, nuk ka asnjë prokuror e as gjykatë”, raporton Reuters.

Qeveria siriane, e drejtuar nga Assadi, mohon raportet e komisionit që ka dokumentuar krime të mëdha lufte të kryera nga forcat e mbështetura nga qeveria dhe nga shërbimet e sigurimit të Sirisë.

Ndonëse OKB-ja po e themelon një organ të ri për të përgatitur ndjekjet penale, nuk ka asnjë shenjë për themelimin e ndonjë gjykate për të ndjekur krimet e luftës të kryera në luftën gjashtë e gjysmë vjeçare. Madje s’ka as qëllim nga KS i OKB-së që ta referojë gjendjen në Gjykatën Penale Ndërkombëtare në Hagë.

“Për gjashtë vjet, komisioni ka hetuar. Tani prokurori duhet të vazhdojë punën tonë dhe të sjellë kriminelët e luftës para një gjykate speciale. Por pikërisht këtë po e bllokon Rusia me veto në Këshillin e Sigurimit të OKB-së”, ka thënë del Ponte, transmeton Koha.net.

Rusia, aleate e afërt e qeverisë së Assadit, ka të drejtën e vetos në Këshill të Sigurimit si një prej anëtarëve të tij të përhershëm.

E pyetur se cilat palë të konfliktit i ka hetuar së pari komisioni, ajo tha. “Të gjithë ata kanë kryer krime lufte. Si rrjedhojë, i kemi hetuar të gjithë”.

© KOHA

Komentet

Shto koment

Të ngjashme