Botë

Trump thotë të ketë gati përgjigjen ushtarake ndaj Koresë së Veriut

Presidenti amerikan Donald Trump vazhdon të përshkallëzojë retorikën e tij të ashpër ndaj Koresë së Veriut duke bërë edhe sot një kërcënim të ri. Deklarata e re vjen një ditë pas paralajmërimit të bërë të enjten nga Presidenti ndaj Koresë së Veriut, kur tha se "atyre do t’u ndodhin gjëra që ata nuk i kanë menduar kurrë si diçka të mundur,” nëse sulmojnë Shtetet e Bashkuara ose aleatët e tyre. Presidenti tha se përgjigja ndaj një sulmi të Koresë së Veriut në territorin amerikan apo të ndonjë prej aleatëve të saj do të ketë pasoja të papara.

Retorika mes presidentit Trump dhe udhëheqësve të Koresë së Veriut është bërë gjithnjë e më e ashpër, ndonëse nuk kanë munguar thirrje për përmbajtje.

Por Presidenti Trump bëri sot një kërcënim të ri kundër Koresë së Veriut, duke shkruar në Twitter se “zgjidhjet ushtarake janë tani plotësisht gati," nëse regjimi i Kim Jong Un-it "bën veprime të pamatura".

Dje, ai tha se mesazhi i tij për udhëheqësin koreanoverior Kim Jong Un, mund të mos ketë qenë i fuqishëm sa duhet.

“Ajo që kanë bërë dhe që janë lejuar të bëjnë është tragjedi dhe nuk mund të lejohet”.

Trump iu përgjigj njoftimeve të Koresë së Veriut se ajo ka plane për të hedhur raketa pranë ishullit Guam. Guami është strehë e një baze ajrore dhe e një instalimi detar amerikan me një personale ushtarak prej 7 mijë vetësh.

"Të shohim çdo të bëjë me Guamin. Nëse bën diçka, ajo që do t’i ndodhë Koresë së Veriut, do të jetë një ngjarje që askush nuk e ka parë ndonjëherë."

Shumë analistë, i kanë kritikuar deklaratat e presidentit Trump.

“Mendoj se gjuha e Presidentit Trump ishte acaruese. Është e njëjta gjuhë zjarrvënëse që jemi mësuar të dëgjojmë nga koreanoveriorët.”

Por presidenti Trump thotë se diplomacia nuk ka funksionuar me Kim Jong Unin apo të atin e tij.

“Ata kanë negociuar për 25 vjet. Clinton bëri negociata. Ai ishte i dobët dhe i paefektshëm. Çfarë ndodhi me presidentin Bush, çfarë ndodhi me Obamën? Obama as që donte të fliste për këtë”.

Presidenti nuk pranoi të specifikonte se cila do të jetë përgjigja e Shteteve të Bashkuara. Por në një konferencë për shtyp, ai tha se Shtetet e Bashkuara kanë modernizuar arsenalin e tyre bërthamor për të siguruar që Amerika mbetet vendi më i fuqishëm bërthamor në botë. Ai tha gjithashtu se do të investohen miliarda dollarë për të rritur sistemin e mbrojtjes nga raketat dhe për të modernizuar më tej ushtrinë amerikane.

“Askush, përfshi Korenë e Veriut, nuk do të na kërcënojë ne për asgjë”.

Ekspertët ushtarakë kanë thënë se Shtetet e Bashkuara janë të afta të asgjësojnë ushtarakisht Korenë e Veriut por me një kosto të madhe njerëzore. Një sulm bërthamor mbi atë vend, do të vriste miliona koreanoveriorë dhe do të dëmtonte fqinjët e Phenianit. Sulmi do të armiqësonte gjithashtu Kinën.

Trump tha gjithashtu se armët bërthamore janë kërcënimi më i madh në botë dhe do të donte eliminimin e tyre.

“Do të doja që Rusia dhe Shtetet e Bashkuara, Pakistani dhe shumë vende të tjera që kanë armë bërthamore t’i eliminonin ato”.

Por derisa ta bëjnë këtë, presidenti Trump premtoi se Shtetet e Bashkuara do të jenë vendi bërthamor më i fuqishëm në botë./VoA