Botë

“D-Day” për Francën, sot priten protesta me incidente të rënda

Qytetarët në të gjithë Francën do të vazhdojnë protestat kundër reformave të pensioneve të paralajmëruara nga qeveria franceze të premten, ndërsa policia ka theksuar se sot mund të priten incidente të rënda me potencial të lartë dhune.

Pasi qytetarët protestuan për ditën e 12-të me radhë kundër masave të reformës së pensioneve të Macronit të enjten, sindikatat njoftuan se ato do të vazhdojnë edhe sot në 130 vende në të gjithë Francën.

“Përballë kësaj situate, policia në Paris nxori një urdhër të enjten për ndalimin e të gjitha paradave dhe grumbullimeve të paparalajmëruara si dhe mbajtjen e pankartave dhe objekteve që mund të përdoreshin si armë. Për të justifikuar këtë ndalim, dekreti nxjerr në pah tensionet dhe kërkesat sociale në të cilat ndodhet Franca”, shkruan Le Parisien.

Përveç protestave, kjo e premte është e rëndësishme për francezët edhe për një arsye tjetër. Konkretisht, sot është caktuar seanca e Këshillit Kushtetues, të cilët duhet të votojnë nëse reforma e pensioneve e shpallur nga qeveria e Macronit është në përputhje me ligjet dhe kushtetutën.

Siç shkruan kjo gazetë franceze, janë disa skenarë që mund të miratojë Këshilli Kushtetues, që kanë të bëjnë me reformën e pensioneve.

Një prej tyre është miratimi i plotë i ligjit, i cili do t'i lejojë Macronit të ketë kontroll të plotë mbi zbatimin e ligjit. Ndër të tjera, me këtë vendim Macroni do të kishte afat deri më 20 prill për të nënshkruar zbatimin e ligjit. Me nënshkrimin e Macronit, ligji do të hynte në fuqi më 1 shtator.

Skenari i paraqitur si më i mundshmi është ai në të cilin Këshilli Kushtetues do të vendoste të ashtuquajturën censurë e pjesshme e ligjit.

“Kjo do të thotë se mund të kundërshtohet pjesërisht ligji. Kjo mund të nënkuptojë anulimin e masave shtesë si indeksi i lartë, që detyron kompanitë e mëdha të regjistrojnë punonjësit mbi 55 vjeç”, shkruan Le Figaro.

Skenari i tretë, për të cilin shpreson më shumë opozita, do të ishte që Këshilli Kushtetues të kundërshtonte plotësisht ligjin, që do të ishte hera e parë në historinë e Republikës së Francës.

“Nëse Këshilli Kushtetues vendos ta kundërshtojë ligjin, qeveria do ta ketë gjithmonë opsionin të marrë përsipër të njëjtin ligj dhe të përpiqet ta miratojë atë në mënyrën tradicionale. Nëse, nga ana tjetër, thelbi i tekstit të ligjit është në kundërshtim me kushtetutën do të jetë e nevojshme ndryshimi i gjithë ligjit”, shkruajnë mediat franceze.