Botë

BE-ja i ofron Ukrainës 1 milion plumba artilerie

Liderët e Bashkimit Evropian kanë përkrahur marrëveshjen me të cilën Ukraina ndihmohet me 1 milion plumba të artilerisë.

BE-ja këtë armatim pritet ta dërgojë brenda 12 muajve të ardhshëm.

Procedura e përshpejtuar është përkrahur nga ministrat e Jashtëm dhe të Mbrojtjes së BE-së në fillim të kësaj jave.

Liderët e BE-së janë takuar të enjten për t’ia dhënë përkrahjen politike kësaj marrëveshjeje.

Me Ukrainën që po përballte me mungesë armatimi në luftën kundër Rusisë, ideja për blerje të armatimit është e ngjashme si në rastin e blerjes së vaksinave dhe është sjellë në tavolinë nga kryeministri i Estonisë.

BE-ja ka ofruar 1 miliard euro për të inkurajuar shtetet anëtare që të ofrojnë armatimin e artilerisë nga stoqet e tyre ose të porosisin nga industritë e prodhimit.

Në mesin e 27 shteteve të BE-së, Hungaria ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në planin për furnizim me armatim për Ukrainën, duke thënë se është e angazhuar në paqe.

Gjatë javës së kaluar kryeministri hungarez, Viktor Orban, ka thënë se BE-ja është fajtore për zgjatjen e luftës ruse në Ukrainë.