Botë

Bideni rikonfirmon zotimin amerikan për sigurinë e Evropës

“Kur presidenti Putin urdhëroi tanket e tij të mësynin Ukrainën, mendoi se ne do të vërtiteshim. Ai gaboi”, ka deklaruar presidenti Joe Biden në kopshtin e Kështjellës Mbretërore në Varshavë, duke thënë se Putini duhet të bjerë nga pushteti. Disa orë më parë në Moskë, Putini bëri të ditur vendimin për tërheqjen e Rusisë nga pakti për kontrollin e armëve bërthamore. Sekretari i NATO-s, vendimin e quajti rrezik për arkitekturën e sigurisë atomike

Presidenti Joe Biden ripohoi në fjalimin mbi luftën në Ukrainë përkushtimin e Shteteve të Bashkuara për sigurinë evropiane. Bideni mbërriti në Varshavë të hënën, pasi bëri një vizitë të paparalajmëruar në Kiev.

“Gati një vit më parë, fola në Kështjellën Mbretërore këtu në Varshavë, vetëm disa javë pasi Vladimir Putin kishte nisur sulmin e tij vrasës në Ukrainë, lufta më e madhe tokësore në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore”, deklaroi ai para audiencës së entuziazmuar. “Dhe parimet që kanë qenë gur themeli i paqes, prosperitetit, stabilitetit në këtë planet për më shumë se 75 vjet, rrezikoheshin të shkatërroheshin. Një vit më parë, bota po përgatitej për rënien e Kievit”.

Image
Presidenti rus, Vladimir Putin, bën me gjeste në Moskë ndërsa mban fjalimin e tij vjetor për gjendjen e kombit

“Kievi po mbahet fort”

Bideni u tha të pranishmëve se mund të "raportojë se Kievi po qëndron i fortë". Dhe më e rëndësishmja, tha ai, "po mbahet i lirë".

Në fjalimin e tij, Bideni theksoi gjithashtu angazhimin e Polonisë dhe aleatëve të tjerë ndaj Ukrainës gjatë vitit të kaluar.

“Të gjitha demokracitë janë duke u testuar dhe pyetjet me të cilat përballemi ishin sa të thjeshta aq edhe të thella. A do të përgjigjeshim? Apo do të shikonim nga ana tjetër? A do të ishim të fortë? Apo do të ishim të dobët? A do të ishin të gjithë aleatët tanë të bashkuar apo të ndarë? Një vit më vonë, ne e dimë përgjigjen. Ne u përgjigjëm. Ne do të ishim të fortë, do të ishim të bashkuar dhe bota nuk do të shikonte nga ana tjetër”, ka shtuar ai.

Bideni u takua me presidentin polak, Andrzej Duda, më herët të martën, pjesë e një serie konsultimesh me aleatët për t'u përgatitur për një fazë edhe më të ndërlikuar të pushtimit rus të Ukrainës.

Konflikti në Ukrainë – lufta më e rëndësishme në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore – ka lënë tashmë dhjetëra mijëra njerëz të vdekur, ka shkatërruar sistemin e infrastrukturës së Ukrainës dhe ka dëmtuar ekonominë globale.

Pa fund të luftës, përvjetori është një moment kritik që Biden të përpiqet të forcojë unitetin evropian dhe të përsërisë se pushtimi i Putinit ishte një sulm frontal ndaj rendit ndërkombëtar të pas Luftës së Dytë Botërore. Bideni ka përsëritur edhe njëherë qëndrimin e tij se Putini duhet të bjerë nga pushteti.

“Kur presidenti Putin urdhëroi tanket e tij të mësynin Ukrainën, mendoi se ne do të vërtiteshim. Ai gaboi. Populli ukrainas është shumë i guximshëm. Amerika, Evropa, një koalicion kombesh nga Atlantiku në Paqësor, ishim shumë të bashkuar. Demokracia ishte shumë e fortë. Në vend të një fitoreje të lehtë, ai perceptoi dhe parashikoi, Putini u largua me tanke të djegura dhe forcat ruse në vonesë... në rrëmujë”, deklaroi Biden.

Image
Ushtarët ukrainas qëllojnë me artileri mbi pozicionet ruse pranë Bakhmutit në rajonin e Donjeckut në Ukrainë

Tërheqja e Putinit nga pakti bërthamor

Presidenti rus, Vladimir Putin, gjatë fjalimit të gjatë disa orë më parë në Moskë deklaroi se Perëndimi dëshiron disfatën e Rusisë. Sipas tij, lufta nisi për shkak të Ukrainës e jo Rusisë, një pretendim i rremë nga faktet në terren.

“Ne e dimë se Perëndimi është përfshirë drejtpërdrejt në përpjekjet e regjimit të Kievit për t’i sulmuar bazat e aviacionit tonë strategjik”, deklaroi Putini. “Dronët e përdorur u siguruan dhe u modernizuan me ndihmën e specialistëve të NATO-s. Dhe tani, duan edhe të inspektojnë bazat tona të mbrojtjes. Në kushtet moderne të konfrontimit të sotëm, kjo tingëllon si çmenduri”.

Ai ka bërë të ditur se Rusia është tërhequr nga traktati START-i ri për kontrollin dhe kufizimin e armëve bërthamore. Pakti ishte marrëveshja e fundit e armëve atomike ndërmjet Moskës dhe Washingtonit, e që më 2021 ishte vazhduar edhe për pesë vjet të tjerë.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka reaguar menjëherë pas vendimit të Putinit.

“Gjatë viteve të kaluara, Rusia ka shkelur dhe është tërhequr nga marrëveshjet kryesore të kontrollit të armëve. Me vendimin e sotëm për START-in e ri, është shpartalluar krejt arkitektura e kontrollit të armëve”, ka deklaruar ai në Bruksel.

Fjalimin e Putinit, në NATO dhe në BE e kanë parë si dëshmi se Moska po përgatitet për më shumë luftë dhe jo për paqe.

Stoltenbergu, duke u përgjigjur në një pyetje për këtë fjalim dhe për kërcënimet që Putini i ka bërë ndaj atyre të cilët dërgojnë armatim në Ukrainë, ka thënë se ky fjalim e dëshmon qartë edhe qëllimet e Moskës.

“Siç po shohim, Putini nuk po përgatitet për paqe, por më shumë për luftë. Ai po grumbullon trupat, prandaj edhe ne duhet të rrisim ndihmën tonë për Ukrainën në mënyrë që ky shtet të jetë në gjendje që të ushtrojë të drejtën për t’u vetëmbrojtur”, ka thënë Stoltenberg.

Ai i ka bërë këto komente në një konferencë të përbashkët për gazetarë me përfaqësuesin e Lartë të BE-së për politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, dhe ministrin e Jashtëm të Ukrainës, Dmitri Kuleba.

Mbrojtja e anëtarëve të NATO-s

Në këtë takim është rikonfirmuar gatishmëria e NATO-s dhe e BE-së që edhe një vit pas nisjes së invasionit të Rusisë ndaj Ukrainës të vazhdojnë ndihmën e nevojshme për këtë shtet.

Shefi i NATO-s ka përsëritur gatishmërinë për të mbrojtur të gjitha vendet anëtare. “NATO-ja ka edhe një detyrë dhe ajo është që të parandalojë që kjo luftë të eskalojë jashtë territorit të Ukrainës”, ka thënë Stoltenberg. “Prandaj, që nga fillimi i invasionit kemi rritur praninë tonë në vendet fqinje anëtare për të dërguar sinjal të qartë se NATO-ja është e gatshme në secilin moment që të mbrojë secilën pëllëmbë të territorit të saj dhe se sulmin ndaj një vendi anëtar do ta konsiderojë si sulm ndaj gjithë NATO-s”.

Edhe përfaqësuesi i BE-së, Borrell ka bërë thirrje që të shpejtohet prodhimi i municioneve në vendet evropiane, sepse përdorimi i tyre në Ukrainë është më i shpejtë sesa shpejtësia e prodhimit të tyre. Ai ka përsëritur se BE-ja është duke planifikuar që të bëjë një prokurim të përbashkët të municionit në nivel evropian, në mënyrë që të ndihmohet Ukraina.

“Shpejtësia e prodhimit të armëve dhe e municionit në industrinë tonë, nuk është në përputhje me nevojat urgjente në front. Prandaj, duhet ta përshpejtojmë”, ka deklaruar Borrell.

Me këtë është pajtuar edhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s.

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Kuleba, ka thënë se para një viti, pakkush ka mundur të paramendojë se lufta do të zgjasë kaq shumë. Përderisa lufta vazhdon, ne nuk mund të themi se kemi marrë gjithë ndihmën e duhur deri më tash, tha Kuleba. Ai ka bërë thirrje që kjo ndihmë të jetë më e shpejtë.