Botë

Rrëfimi i adoleshentit që incizoi veten nën rrënoja

Duke treguar qëndrueshmëri dhe guxim, adoleshenti mendonte se po fliste fjalët e fundit. Tregon për lëndimet e tij dhe pendesat dhe gjërat që shpreson t’i bëjë nëse del i gjallë nga aty. Gjatë videos mund të dëgjohen britmat e të tjerëve.

Nxënësi i shkollës së mesme ka tronditur zemrat e turqve me mesazhin e lamtumirës për më të dashurit e tij, pasi ishte ngujuar nën rrënojat e shtëpisë së tij shkaku i tërmetit të fuqishëm.

Taha Erdem dhe familja kishin rënë më herët për të fjetur kur tërmeti 7.8 shkallës goditi qytetin e tyre Adiyaman më 6 shkurt. Taha ishte zgjuar nga lëkundjet e fuqishme që shembën bllokun katërkatësh.

Për dhjetë sekonda, Taha, nëna, babai, vëllai dhe motra më e vogël ishin në tokë.

Ishte i vetëm nën tonët e rrënojave dhe dridhjet e vazhdueshme vetëm sa shkatërronin edhe më shumë ndërtesën edhe ashtu të rrënuar. Ai ndodhej nën masën e betonit dhe çelikut. Taha mori telefonin dhe nisi të incizonte mesazhin e lamtumirës, duke shpresuar se do të zbulohej mesazhi pas vdekjes së tij.

“Mendoj se kjo do të jetë videoja e fundit që do të bëjë për ju”, thoshte ai mes hapësirës së ngushtë teksa telefoni i lëkundej nga dridhjet e fuqishme të tokës.

Duke treguar qëndrueshmëri dhe guxim, adoleshenti mendonte se po fliste fjalët e fundit. Tregon për lëndimet e tij dhe pendesat dhe gjërat që shpreson t’i bëjë nëse del i gjallë nga aty. Gjatë videos, mund të dëgjohen britmat e të tjerëve.

Vdekja vjen kur s’e pret

“Ende po lëkundemi. Vdekja, miqtë e mi, vjen në kohën kur e pret më së paku”, thotë Taha para se të thoshte një lutje myslimane në gjuhën arabe.

“Ka shumë gjëra për të cilat pendohem. Lus Zotin që të m’i falë gjynahet. Nëse dal nga këtu i gjallë do të bëjë shumë gjëra që dua. Ende po lëkundemi. Nuk po më dridhen duart, është tërmeti”, shton ai.

Adoleshenti në video thotë se beson që familjarët i kanë vdekur, së bashku me shumë të tjerë në qytet dhe se shumë shpejt do t’u bashkohet edhe ai.

Mirëpo qe e shkruar që Taha të ishte në mesin e njerëzve të parë që shpëtohen nga ndërtesa e bërë rrafsh me tokë. Është nxjerrë vetëm dy orë më vonë nga fqinjët dhe është dërguar te shtëpia e hallës.

Dhjetë orë pas tërmetit, prindërit dhe vëllai dhe motra u shpëtuan nga fqinjët që gërmuan nëpër rrënoja me duar dhe me çfarëdo mjeti që kanë gjetur.

Kur Associated Press foli me familjen të enjten, jetonin në një tendë të siguruar nga Qeveria, së bashku me qindra mijëra të tjerë që i mbijetuan katastrofës që goditi Turqinë jugore dhe Sirinë veriore, duke lënë më shumë se 43 mijë të vdekur.

“Kjo është shtëpia ime”, thotë nëna e Tahas, Zeliha, 37 vjeçe, teksa shikonte ekskavatorët që gërmonin shtëpinë e tyre të vjetër dhe e hidhnin gjësendet në kamionët afër.

“Bum-bum-bum, ndërtesa zbriti kat më kat mbi ne”, kujton ajo, duke përshkruar se si kishte vazhduar të thërriste emrin e djalit të saj teksa ishte bllokuar nën rrënojat me shpresën se të pesë ata mund të vdisnin së bashku si një familjare.

Fëmijët më të vegjël të Erdems - vajza Semanur, 13 vjeç dhe djali 9-vjeçar Yigit Cinar - po flinin në dhomën e prindërve të tyre kur ra tërmeti.

Por Taha nuk mund t'i dëgjonte thirrjet e nënës së tij përmes masës së betonit. As ajo nuk mund t'i dëgjonte të qarat e djalit të saj në errësirë dhe të dy besonin se tjetri ishte shtrirë i vdekur në ndërtesën e shkatërruar.

Vetëm kur Zeliha, bashkëshorti i saj Ali, 47 vjeç, pastrues spitali dhe fëmijët e tjerë u dërguan në shtëpinë e motrës së saj, kuptuan se Taha kishte shpëtuar.

“Bota ishte e imja në atë moment”, rrëfen Zeliha. “Unë nuk kam asgjë, por kam fëmijët e mi”.

Historia e familjes Erdem është një nga historitë e shumta emocionale të forcës njerëzore që ka dalë nga zona e përhapur e fatkeqësive. Shumë rrëfejnë gjallërisht tmerret e të qenët të bllokuar nën shtëpitë e tyre.

Ibrahim Zakaria, sirian 23-vjeçar, i cili u shpëtua në qytetin bregdetar sirian të Jableh më 10 shkurt, ka rrëfyer për AP-në se mbijetoi duke thithur ujin që pikonte poshtë murit pranë tij, duke rrëshqitur brenda dhe jashtë vetëdijes dhe duke humbur shpresa për të mbijetuar në momentet e zgjimit.

“Pothuajse u dorëzova sepse mendova se do të vdisja”, thotë ai nga shtrati i tij në spital. “Mendova: ‘Nuk ka shpëtim’”.

“Mbijetova duke pirë urinën”

Në qytetin turk të Gaziantepit, 17-vjeçari Adnan Muhammed Korkut mbeti i bllokuar për katër ditë përpara se të shpëtohej. Ai ka thënë për agjencisë private të lajmeve IHA se kishte aq etje sa e piu urinën e tij.

Muhammet Enes Yeninar, 17 vjeç, dhe vëllai i tij 21-vjeçar u shpëtuan pas 198 orësh në qytetin e afërt të Kahramanmarasit Ai thotë se ata qanë për dy ditët e para, kryesisht duke u pyetur për nënën e tyre dhe nëse ajo kishte shpëtuar. Më vonë ata filluan të ngushëllojnë njëri-tjetrin – “duke folur për vëllazërinë” dhe duke ngrënë proteinat pluhur.

Gjithashtu në Kahramanmaras, Aleyna Olmez, 17 vjeç, u tërhoq e lirë pas 248 orësh nën rrënoja. “Unë u përpoqa ta kaloja kohën vetë”, thotë ajo.

Historitë e mbijetesës së jashtëzakonshme shpesh shfaqen gjatë fatkeqësive, veçanërisht pas tërmeteve, kur mediat botërore regjistrojnë shpresën e venitur për të rikuperuar të mbijetuarit, ndërsa kalon çdo orë.

Pas tërmetit të Haitit të vitit 2010, një vajzë 16-vjeçare u shpëtua në Port-Au-Prince 15 ditë pasi një tërmet shkatërroi qytetin. Tre vjet më vonë, një grua e bllokuar nën një ndërtesë të shembur në Dhaka, Bangladesh, u shpëtua pas 17 ditësh.

12 ditë nën rrënoja

Një çift dhe djali i tyre janë nxjerrë nga rrënojat e apartamentit të tyre në qytetin Antakya, 12 ditë pas tërmetit të fuqishëm. Djali ka vdekur më vonë në spital. Të tre janë dërguar menjëherë në spital pasi kanë qëndruar më shumë se 296 orë nënë rrënoja. Mediat shtetërore të Turqisë i kanë identifikuar ata së Samir Muhammed Accar, 49-vjeçar, bashkëshortja e tij Ragda, 40-vjeçare, dhe i biri i tyre, 12-vjeçar, i cili ka vdekur në spital. Trupat e dy fëmijëve të tjerë janë nxjerrë nga rrënojat, kanë bërë të ditur ekipet e shpëtimit. Kërkimi për të mbijetuar të tjerë ka vazhduar edhe pas ditës së 12-të të tërmetit që tronditur Turqinë dhe Sirinë. Çdo ditë e më shumë po shuhet shpresa për të gjetur të mbijetuar të tjerë. Qyteti Hatay është një prej zonave më të goditura nga 11 provincat turke që janë në zonën e katastrofës. Deri të shtunën, numri i të vdekurve në Turqi ka arritur në më shumë se 40 mijë, ndërkaq tre mijë të tjerë janë konfirmuar të vdekur në Siri.

Përktheu: Gent Mehmeti