Botë

Nxjerrja e të mbijetuarve mban gjallë shpresat për mrekulli

Descriptive Text

Nxjerrja e të mbijetuarve nga rrënojat e ndërtesave në Turqi ka mbajtur gjallë shpresat e shumë familjarëve që me ditë të tëra po qëndrojnë nëpër rrënoja duke kërkuar më të dashurit e tyre, teksa numri i të vdekurve në Turqi dhe Siri ka arritur në më shumë se 23 mijë

Ekipet e shpëtimit nxorën disa njerëz të gjallë nga rrënojat e ndërtesave të premten, disa prej të cilëve mbijetuan për më shumë se 100 orë të ngujuar nën beton dhe në të ftohtin e ashpër pasi tërmeti apokaliptik që goditi Turqinë dhe Sirinë, duke lënë të vdekur më shumë se 23 mijë persona.

Të mbijetuarit përfshinin gjashtë familjarë të cilët ishin ngujuar në një të çarë të vogël nën rrënoja, një adoleshent që piu urinën e tij për ta shuar etjen dhe një djalë 4-vjeçar të cilit iu ofrua një bonbone për ta qetësuar teksa e nxirrnin nga rrënojat.

Por stuhia e shpëtimit dramatik – disa prej tyre të transmetuara drejtpërdrejt në televizionin turk – nuk mund të errësonte shkatërrimin dërrmues të asaj që presidenti i Turqisë e quajti një nga fatkeqësitë më të mëdha në historinë e shtetit të tij. Lagje të tëra ndërtesash të larta janë reduktuar në metal të përdredhur, beton të pluhurosur dhe tela të ekspozuar, dhe tërmeti me magnitudë 7.8 ka lënë të vdekur tashmë më shumë njerëz sesa tërmeti dhe cunami i Fukushimas në Japoni, me shumë trupa që ende nuk janë gjetur dhe numëruar.

Beteja për mbijetesë

Katër ditë pasi tërmeti goditi një rajon të gjerë kufitar që është shtëpia e më shumë se 13.5 milionë njerëzve, të afërmit qanin dhe brohoritnin teksa shpëtimtarët nxirrnin 17-vjeçarin, Adnan Muhammed Korkut, nga një bodrum në Gaziantep të Turqisë, pranë epiqendrës së tërmetit. Ai ishte bllokuar atje për 94 orë, i detyruar të pinte urinën e tij për të mbijetuar.

“Faleminderit Zotit që mbërritët”, tha ai, duke përqafuar nënën e tij dhe të tjerët që u përkulën për ta puthur dhe përqafuar ndërsa po bartej në një ambulancë.

Për një nga shpëtimtarët, e identifikuar vetëm si Yasemin, mbijetesa e Adnanit e preku thellë.

“Unë kam një djalë si ti”, i tha ajo pasi e përqafoi ngrohtësisht. “Të betohem, nuk kam fjetur për katër ditë. ... Po përpiqesha të të nxirrja jashtë”.

Image

Ndërkohë, në Adiyaman, ekipet e shpëtimit nxorën 4-vjeçarin Yagiz Komsu nga rrënojat e shtëpisë së tij, 105 orë pasi goditi tërmeti. Ata më vonë arritën të shpëtonin nënën e tij, Ayfer Komsu, e cila mbijetoi me një brinjë të thyer, sipas televizionit HaberTurk, i cili transmetoi drejtpërdrejt shpëtimin. Turmës iu kërkua të mos brohorasin apo duartrokasin për të shmangur frikësimin e fëmijës, të cilit iu dha një bonbone, raportoi televizioni.

Diku tjetër, televizioni HaberTurk tha se shpëtimtarët kishin identifikuar nëntë persona të bllokuar brenda rrënojave të një blloku apartamentesh të larta në Iskenderun dhe nxorën jashtë gjashtë prej tyre, duke përfshirë një grua që përshëndeti të pranishmit teksa po transportohej me barelë. Turma bërtiti: “Zoti është i madh”, pasi ajo u nxor jashtë.

Ndërtesa ishte vetëm 200 metra larg nga Deti Mesdhe dhe për pak nuk u përmbyt kur tërmeti masiv dërgoi ujin në qendër të qytetit.

Një çift i martuar u nxor nga rrënojat në Iskenderun pasi kaloi 109 orë të ngujuar në një të çarë të vogël. Një ekip gjerman tha se punoi për më shumë se 50 orë për të çliruar një grua nga rrënojat e një shtëpie në Kirikhan. Në qytetin e goditur rëndë të Kahramanmaras, dy motra adoleshente u shpëtuan dhe video e operacionit tregoi një punonjës të urgjencës duke lëshuar një këngë pop në telefonin e tij për t'i shpërqendruar.

Dhe puna vazhdoi: Një grua e bllokuar mund të dëgjohej duke folur me një ekip që përpiqej ta nxirrte jashtë në video të transmetuar nga televizioni HaberTurk. Ajo u tha shpëtimtarëve të saj se kishte hequr dorë nga shpresa për t'u gjetur - dhe u lut që ta vinte në gjumë sepse ishte shumë ftohtë. Televizioni nuk tha se ku po zhvillohej operacioni.

Edhe pse ekspertët thonë se njerëzit e bllokuar mund të jetojnë për një javë ose më shumë, shanset për të gjetur të mbijetuar janë zbehur.

Shpëtimi i së premtes siguroi momente kalimtare gëzimi dhe lehtësimi mes mjerimit dhe vështirësive që kaplojnë rajonin e shkatërruar, ku morgjet dhe varrezat janë mbingarkuar dhe trupat shtrihen të mbështjellë me batanije e qilima në rrugët e disa qyteteve.

Qyteti i shkatërruar

Në Kahramanmaras, një sallë sportive shërbeu si një morg i improvizuar për të akomoduar dhe identifikuar trupat.

Temperaturat mbeten nën zero në të gjithë rajonin e madh dhe shumë njerëz nuk kanë ku të strehohen. Qeveria turke ka shpërndarë miliona vakte të nxehta, si dhe tenda dhe batanije, por ende po përpiqet të ndihmojë shumë njerëz në nevojë.

Disa në Turqi janë ankuar se qeveria ishte e ngadaltë në reagim, një perceptim që mund të dëmtojë presidentin turk Recep Tayyip Erdogan ndërsa ai përballet me një betejë të vështirë për rizgjedhjen në maj.

Fatkeqësia shtoi vuajtjet në një rajon të përfshirë nga lufta civile 12-vjeçare e Sirisë, e cila ka zhvendosur miliona njerëz brenda vendit dhe i ka lënë ata të varur nga ndihma dhe ka dërguar miliona të tjerë për strehim në Turqi.

Konflikti i vazhdueshëm ka izoluar shumë zona të Sirisë dhe ka komplikuar përpjekjet për të marrë ndihma. OKB-ja tha se karvani i parë i ndihmës lidhur me tërmetin kaloi nga Turqia në Sirinë veriperëndimore të premten – një ditë pas një dërgese ndihme të planifikuar përpara fatkeqësisë.

Image

Kamionët arritën të kalojnë në një rrugë që ishte bllokuar prej ditësh nga rrënojat.

Presidenti sirian Bashar Assad dhe gruaja e tij, Asmaa, vizituan të mbijetuarit në Spitalin Universitar Aleppo, raportoi media shtetërore siriane – paraqitja e parë publike e liderit në një zonë të prekur të vendit nga fatkeqësia. Më pas ai vizitoi shpëtimtarët në një nga zonat më të goditura në qytet.

Aleppo është tronditur nga vite të tëra bombardimesh dhe granatimesh të rënda – shumica prej tyre nga forcat e Assadit dhe aleatit të tij, Rusisë – dhe ishte ndër qytetet më të shkatërruara nga tërmeti.

Drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus dhe Dr. Michael Ryan, kreu i urgjencave të OBSH-së, pritej të mbërrinin në qytet të premten më vonë për të ndihmuar në dhënien e ndihmës.

Gjithashtu të premten, Partia e jashtëligjshme e Punëtorëve të Kurdistanit, ose PKK, e cila ka zhvilluar një kryengritje separatiste në juglindjen kryesisht kurde të Turqisë, duke përfshirë disa nga zonat e prekura, tha se po shpallte një armëpushim.

Ndërkohë, konflikti i Turqisë me militantët kurdë në Siri, të lidhur me PKK-në, e ka komplikuar më tej dërgimin e ndihmave në rajon. Të enjten, zyrtarët kurdë në Siri thanë se rebelët sirianë të mbështetur nga Turqia kishin bllokuar një kolonë ndihmash të destinuar për viktimat e tërmetit.

Agjencia e menaxhimit të fatkeqësive të Turqisë tha se më shumë se 19.300 njerëz janë konfirmuar të vdekur nga fatkeqësia deri më tani në Turqi, me më shumë se 77 mijë të plagosur.

Më shumë se 3.300 janë konfirmuar të vdekur në Siri, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të vdekurve në më shumë se 23 mijë.

Rreth 12 mijë ndërtesa në Turqi ose janë shembur ose kanë pësuar dëmtime serioze, sipas ministrit turk të mjedisit dhe planifikimit urban, Murat Kurum.

Inxhinierët sugjeruan se shkalla e shkatërrimit shpjegohet pjesërisht nga zbatimi i dobët i kodeve të ndërtimit, për të cilat kanë paralajmëruar për vite me radhë se do të jenë të prekshëm nga tërmetet.

Mustafa Turan numëroi 248 ndërtesa të shembura midis aeroportit dhe qendrës së Adiyamanit, pasi ai nxitonte të shkonte në vendlindjen e tij nga Stambolli pas tërmetit.

Gazetari tha të premten se 15 nga të afërmit e tij kanë mbetur të vdekur dhe dhjetëra njerëz ishin duke fjetur jashtë ose në tenda.

“Natën, rreth orës 4 të mëngjesit, bëri aq ftohtë, saqë uji i pijshëm na ngriu”, tha ai.

Përktheu: Forca Jashari