Serbia ka nënshtruar një kontroll rigoroz ndaj të gjitha produkteve që hyjnë në vend nga Kroacia, e për pasojë asnjë produkt kroat nuk do të jetë në treg për 30 ditë aq sa zgjatin procedurat.
Kështu ka mësuar gazeta serbe “Blic” e cila thekson se kjo është një kundërpërgjigje e Qeverisë serbe ndaj vendimit të Ministrisë kroate të Bujqësisë, e cila më 15 korrik ka rritur taksën e importit për 22 herë në fruta dhe perime për vendet që s’janë anëtare të BE-së.
Gazeta shton se Administrata Doganore ka marrë detyrë që para verifikimit të produkteve fitosanitare dhe veterinare që vijnë nga Kroacia, të kryejë edhe analiza, dhe si pasojë e këtyre procedurave, që zgjasin 30 ditë, raftet e dyqaneve do të mbesin të zbrazëta nga këto produkte, transmeton Koha.net.
Burimi i gazetës serbe thotë se një pjesë e madhe e produkteve kroate do të shkatërrohen pasi që nuk u mbijetojnë periudhës së pritjes deri të kryhen testet laboratorike.
“Kemi të bëjmë me mishin, qumështin, akulloret dhe ushqime tjera. Si rrjedhojë, në Serbi s’mund të hyjnë këto produkte derisa nuk kryhen ato analiza. Ato zgjasin 30 ditë dhe për kaq ditë nuk do të ketë në treg prodhime kroate”, ka thënë burimi.