Botë

Somali: 110 të vdekur nga uria në 48 orët e fundit

Kryeministri i Somalisë, Hasan Ali Kair, ka deklaruar të shtunën se në 48 orët e fundit 110 persona kanë vdekur nga uria në rajonin Bay në jugperëndim të vendit, derisa në rajonet tjera janë të rrezikuar miliona njerëz për shkak të thatësirës.

AP shkruan se këto janë rastet e para të vdekjes të shkaktuara nga thatësia, të cilat janë bërë të ditur nga qeveria e Somalisë, që nga e marta kur është shpallur katastrofa nacionale.

Kombet e Bashkuara vlerësojnë se 5 milionë njerëz në këtë vend afrikan kanë nevojë për ndihmë, mes paralajmërimeve për një varfëri të shkallës së gjerë, transmeton Koha.net.

Kryeministri Ali Khaire tha të shtunën gjatë një takimi me Komitetin Kombëtar Somalez të Thatësirës se shifra e të vdekurve ka të bëjë vetëm për rajon në jugperëndim të vendit.

Somalia ishte një prej katër rajoneve të veçuara nga sekretari i përgjithshëm i OKB-së muajin e kaluar për t’iu dalë në ndihmë me 4.4 miliardë dollarë për të evituar një katastrofë urie dhe varfërinë, së bashku me Nigerinë, Sudanin Jugor dhe Jemenin. Që të gjitha këto vende janë të lidhura me kërcënimin për konflikt të dhunshëm, ka thënë shefi i OKB-së.