Botë

Putin: Lufta duhet të përfundojë, negociatat të pashmangshme

Descriptive Text

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka deklaruar para gazetarëve se dëshiron t’i japë fund luftës në Ukrainë dhe të gjitha konfliktet e armatosura, të përfundojnë me negociata diplomatike.

Ai ka thënë të enjten se qëllim i tij është ndërprerja e luftës, raportoi TheGuardian.

“Qëllimi ynë është t’i japim fund kësaj lufte. Ne po përpiqemi për këtë dhe do të vazhdojmë të përpiqemi. Sa më shpejt, aq më mirë”, ka deklaruar Putin.

Sipas presidentit rus, të gjitha konfliktet e armatosura përfundojnë në tryezat e negociatave. Ai ka thënë se sa më shpejt që të arrihet rruga diplomatike, aq më mirë do të jetë për palët.

“Të gjitha konfliktet e armatosura përfundojnë në një mënyrë apo në një tjetër me një lloj negociatash në rrugën diplomatike. Herët a vonë, të gjitha palët në një gjendje konflikti ulen dhe bëjnë një marrëveshje. Sa më shpejt të vijë ky realizim tek ata që na kundërshtojnë, aq më mirë. Asnjëherë nuk kemi hequr dorë nga kjo”, u shpreh ai.

Putini e quajti “mjaft të vjetruar” sistemin mbrojtës ajror Patriot, që Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ranë dakord t’ia dhurojnë Ukrainës si përforcim në terrenin e luftës.

Presidenti i Ukraiës, Volodymyr Zelensky, zhvilloi takime në Shtetet e Bashkuara të Amerikës që nga e mërkura. Ai pati një takim të gjatë me presidentin Joe Biden, ndërsa më pas iu përgjigjën edhe pyetjeve të mediumeve.

Ndër të tjera, Bideni i premtoi Zelenskyt përkrahje të përhershme kundrejt agresionit rus.