Botë

Turqia pret anëtarësimin në BE qe 35 vjet

Descriptive Text

Turqia ka aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian që nga viti 1987, por ende pret për ta finalizuar atë. Që nga viti 2016, negociatat e pranimit kanë ngecur për arsye politike. Marrëdhëniet BE – Turqi u krijuan në vitin 1959. Edhe pse jo zyrtarisht pjesë e Bashkimit Evropian, Turqia është një nga partnerët kryesorë të BE-së. 

Në vitin 2017, zyrtarët e BE-së shprehën pikëpamjen se politikat e planifikuara turke shkelin kriteret e Kopenhagës për pranueshmërinë për anëtarësim në BE. Më 26 qershor 2018, Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme të BE-së deklaroi se “Këshilli vëren se Turqia është larguar më tej nga Bashkimi Evropian, prandaj negociatat e anëtarësimit të Turqisë kanë rënë në mënyrë efektive dhe nuk mund të konsiderohen kapitujt e mëtejshëm për hapje ose mbyllje dhe nuk parashikohet asnjë punë e mëtejshme drejt modernizimit të Bashkimit Doganor BE-Turqi”, një inciativë ku janë pjesë shtetet e BE-së dhe Turqisë. 

Më 3 tetor 2005, BE-ja bëri një hap të guximshëm për zgjerim kur i hapi negociatat për anëtarësimin e Turqisë dhe Kroacisë.

Pas vitesh përgatitjesh, dy shtetet kandidate hapën zyrtarisht fazën tjetër të procesit të anëtarësimit. Kroacia u pranua në vitin 2013, ndërsa Turqia është ende në pritje.

Negociatat kanë të bëjnë me miratimin dhe zbatimin e trupit ligjor të BE-së, i njohur si acquis. Acquis është afërsisht 130 mijë faqe dokumente ligjore të grupuara në 35 kapituj dhe formon rregullat të cilat shtetet anëtare të BE-së duhet të respektojnë.

Si një vend kandidat, Turqia duhet të përshtatë një pjesë të konsiderueshme të legjislacionit të saj kombëtar në përputhje me ligjin e BE-së. Kjo do të thotë ndryshime thelbësore për shoqërinë që do të prekin pothuajse të gjithë sektorët e vendit, nga mjedisi te gjyqësori, nga transporti te bujqësia dhe në të gjitha shtresat e popullsisë. Megjithatë, vendi kandidat nuk 'negocion' vetë acquis communautaire pasi këto 'rregulla' duhet të miratohen plotësisht nga vendi kandidat. Për t'u bërë një shtet anëtar i BE-së, vendi kandidat duhet t'i afrojë institucionet, kapacitetet menaxhuese dhe sistemet administrative dhe gjyqësore në standardet e BE-së, si në nivel kombëtar ashtu edhe në atë rajonal.

Negociatat për anëtarësimin e Turqisë u bllokuan pasi Këshilli Evropian kishte konstatuar se vendi po shkonte drejt sundimit autokraktik dhe nuk po bënte përparim për t’i harmonizuar rregullat me BE-në.

Përveç Turqisë, janë edhe shtatë vende kandidate për anëtarësim në BE: Shqipëria, Mali i Zi, Serbia, Maqedonia e Veriut, Bosnjë e Hercegovina, Ukraina dhe Moldavia.

Ndërkohë, Kosova të mërkurën ka aplikuar për anëtarësim në BE. Aplikimi do t’i dorëzohet presidencës çeke një ditë më pas.

Hapat që duhet t’i bëjë Kosova për anëtarësim në Bashkimin Evropian