Botë

Kundër paktit për fqinjësi të mirë me Bullgarinë 10 maqedonas në protestë

Ndërsa kryeministri Zoran Zaev dhe homologu i tij bullgar Bojko Borisov po firmosnin Marrëveshjen për fqinjësi të mirë midis dy vendeve, përpara godinës së Qeverisë në Shkup jo më shumë se 10 vetë protestuan kundër këtij pakti. Njëri ndër organizatorët tha se kontestuese është kujdesi i Bullgarisë për të drejtat e rreth 140 mijë shtetasve bullgarë, të cilët jetojnë në Maqedoni.

Në pikën 11 të marrëveshjes thuhet se Bullgaria duhet të kujdeset për të drejtat e shtetasve në shtetet fqinje dhe në këtë situatë ne kemi 140-150 mijë qytetarë maqedonas që kanë shtetësi bullgare dhe Bullgaria do të kujdeset për të drejtat e tyre në Maqedoni ndërsa në anën tjetër Bullgaria nuk e njeh pakicën maqedonase atje – u shpreh Strashko Ollumçev, kryetar i ”Makedonium”.

Ndërkohë edhe protestuesit e paktë që ishin thanë se nuk e pranojnë marrëveshjen, pasi e njëjta shkel të drejtat e tyre si popull.

“Nuk pajtohem me këtë marrëveshje sepse në këtë marrëveshje ekziston fshirja e historisë, e identitetit, fshirja e emrit Maqedoni,fshirje e gjithë popullit maqedonas në Maqedoni ,në diasporë,ne Egje dhe në pjesë të Serbisë.”

“Duhet të na pranojnë si popull maqedonas qe ekzistuar me shekuj dhe pastaj kjo marrëveshje mund të behët ,por me shumë ndryshime.”

Para protestës organizatorët ishin edhe tek presidenca ku i dorëzuan kërkesat e tyre, njëra ndër të cilat ishte që Gjorge Ivanov ta pengonte firmosjen e marrëveshjes për fqinjësi të mirë midis Maqedonisë dhe Bullgarisë.