Botë

Policia iraniane hap zjarr në stacionin e metrosë dhe rrah gratë në trena

Forcat e sigurisë së Iranit kanë hapur zjarr mbi njerëzit në stacionin e metrosë në Teheran dhe kanë rrahur gratë që nuk kishin shamitë e detyrueshme që ua mbulojnë kokën, ndërsa protestat për vdekjen e Mahsa Aminit janë futur në muajin e tretë.

Pamjet e publikuara në rrjetet sociale kanë treguar pasagjerët që vrapojnë drejt daljeve, shumica prej të cilëve rrëzohen dhe shkelen, pasi policia hap zjarr mbi turmën. Policia u xhirua edhe përmes xhamave të trenit duke goditur gratë, raportoi The Guardian.

Demonstratat u intensifikuan të martën, kur organizatorët e protestës thirrën për tri ditë veprimi për të kujtuar “Nëntorin e Përgjakshëm” të 2019-s, kur qindra u vranë gjatë protestave kundër rritjes së çmimit të karburantit.

“Do të luftojmë! Do të vdesim! Do ta rikthejmë Iranin!” u dëgjuan thirrjen e protestuesve në Teheran. Ata u incizuan edhe duke ua vënë zjarrin shamive në stacionet e metrosë.

Stacionet e metrosë dhe transportit publik – zakonisht të patrulluara nga policia e moralit – janë bërë zonë e dhunës së shtetit dhe mbikëqyrje e grave dhe vajzave iraniane gjatë verës si pjesë e ndalimit të veshjeve të tyre.