Rusia sheh “rusofobi” pas rënies së Flynnit

Rusia sheh “rusofobi” pas rënies së Flynnit

15 shkurt 2017 09:59

Zyrtarisht, Kremlini tha se dorëheqja e këshilltarit për siguri kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Michael Flynn, për shkak të kontakteve të papërshtatshme me ambasadorin rus në SHBA, është “çështje e brendshme” e Washingtonit.

Jozyrtarisht, politikanë të lidhur me Kremlinin dhe analistë kanë qenë pothuajse të njëzëshëm dhe ua kanë mveshur dorëheqjen atyre që përpiqen të pengojnë përmirësimin e marrëdhënieve Rusi-SHBA. Këtu, ata mendojnë në disa media, në demokratët e lënduar nga inaugurimi i presidentit Donald Trump dhe fitoret zgjedhore të Partisë së tij Republikane, në komunitetin e inteligjencës në SHBA dhe në republikanët që i etiketojnë si “rusofobë”, shkruan Radio Evropa e Lirë.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, u tha gazetarëve të martën se “kjo nuk është çështje e Rusisë”. Ministria e Jashtme ruse lëshoi deklaratë të ngjashme.

Por, figura të larta të establishmentit rus, jashtë degës ekzekutive, komentuan në mënyrë aktive, duke thënë se presioni mbi Flynnin ka pasur për qëllim të parandalojë ngrohjen e marrëdhënieve midis Moskës dhe Washingtonit.

Anëtari i Këshillit të Federatës, Aleksei Pushkov, i cili më herët ka qenë udhëheqës i Komitetit për Punë të Jashtme në Dumën ruse, shkroi në Twitter se “fushata agresive” e mediave në SHBA ka goditur jo Flynnin, por marrëdhëniet me Rusinë.

Pasardhësi i Pushkovit në Komitetin e Dumës për Punë të Jashtme, Leonid Slutsky, i tha agjencisë Interfax të njëjtën gjë.

“Është zgjedhur një pretekst – kontaktet e Flynnit me ambasadorin rus, edhe pse kjo është një praktikë normale diplomatike”, tha Slutsky.

“Në këto rrethana, njeriu vjen në përfundim se shënjestër kanë qenë marrëdhëniet Rusi-SHBA dhe minimi i besimit në administratën amerikane”, shtoi ai.

Sergei Kislitsyn, specialist për çështjet e Amerikës Veriore në Akademinë e Shkencave të Rusisë, tha po ashtu se kontaktet si ato midis Flynnit dhe ambasadorit rus në SHBA, Sergei Kislyan, janë “normale”.

“Po qe se Flynn do të fliste me ambasadorin britanik ose francez, ose këdo, nuk do të kishte aq vëmendje”, tha Kislitsyn.

Sipas tij, Flynn “është vetëm një viktimë e luftës që po bëhet midis mbështetësve të Trumpit dhe kundërshtarëve të tij”.

Në përgjithësi, shtoi Kislitsyn, “retorika antiruse është një problem i madh në Shtetet e Bashkuara dhe do të pengojë çdo përpjekje për të përmirësuar marrëdhëniet dypalëshe”.

Anëtari tjetër i Këshillit të Federatës, Konstantin Kosachyov, udhëheqës i Komitetit për Marrëdhënie Ndërkombëtare, tha se presioni ndaj Flynnit “është më shumë se paranojë, është diçka jashtë mase e keqe”.

Sipas Kosachyovit, gatishmëria e Flynnit për t’u angazhuar në dialog me Moskën “është padyshim më e mirë” se çdo gjë tjetër që po përpiqet të bëjë senatori John McCain dhe republikanë të tjerë si ai.

McCain ka qenë i zëshëm në paralajmërimet e tij se presidentit rus, Vladimir Putin, nuk mund t’i besohet dhe i patundur në mbrojtjen publike të fqinjëve të Rusisë, si Gjeorgjia dhe Ukraina. Të dyja këto vende kanë territore jashtë kontrollit të tyre, për shkak të pushtimit ushtarak rus.

Vladimir Batyuk, ekspert në Institutin e Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë, e përshkroi incidentin e Flynnit si “goditje shumë të rëndë mbi besimin e Moskës në administratën e re amerikane”.

“Kur ambasadori Kislyak ka komunikuar me Flynnin, ai ka qenë absolutisht i bidnur se komunikon me një përfaqësues të Trumpit. Tani doli se nuk ka qenë ashtu”, tha Batyuk.

Ai shtoi se humbja e besimit “do të ketë pasoja negative për të ardhmen e dialogut ruso-amerikan”.

Ueb-faqja WikiLeaks, e cila është thënë se ka qenë mjet i përpjekjeve të dyshuara të Rusisë për të ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së, më 2016, në favor të Trumpit, shkroi në Twitter se Flynn ka dhënë dorëheqje për shkak të “fushatës destabilizuese nga spiunët amerikanë, demokratët, shtypi”.

Gazeta e përditshme ruse “Moskovsky Komsomolets” tha se arsyeja kryesore pas rënies së Flynnit nuk janë bisedat e tij me Kislyakun, por pjesëmarrja e tij në një festë gala me rastin e 10-vjetorit të transmetuesit shtetëror rus, RT, në Moskë më 2015. Në atë festë, Flynn ka qenë i ulur në të njëjtën tavolinë me Putinin.

Marrëdhëniet midis Washingtonit dhe Moskës janë tendosur veçanërisht prejse Rusia ka aneksuar gadishullin ukrainas të Krimesë, më 2014, dhe ka nisur mbështetjen politike dhe ushtarake për separatistët në lindje të Ukrainës.

Trump ka bërë fushatë me zotimet se do të përpiqet të përmirësojë marrëdhëniet dypalëshe me Moskën dhe se do të bashkëpunojë me të për të luftuar kërcënimin nga “terrorizmi i Islamit radikal”. 

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme