Botë

Putini sfidon seriozisht Perëndimin me aneksimin e Ukrainës lindore

Në vitin 2020, Putini ka nënshkruar dekretin që përditëson doktrinën bërthamore të Rusisë. Kështu mundësohet përdorimi i armëve bërthamore “në rast të ndonjë agresioni kundër Federatës Ruse me përdorimin e armëve konvencionale, kur vetë ekzistenca e shtetit është nën kërcënim”.

Presidenti Vladimir Putin do të nënshkruajë marrëveshjet të premten me të cilat do të përfshijë në territorin rus mijëra kilometra katrorë të territorit ukrainas, në atë që po cilësohet si aneksimi më i madh i kryer me forcë në Evropë që prej vitit 1945.

Marrëveshjet do të nënshkruhen me një ceremoni të organizuar në Kremlin vetëm tri ditë pasi regjimi rus organizoi referendumet me të cilat u vendos që katër zona të Ukrainës të përfshihen në territorin rus.

Presidenti Putin do të mbajë fjalimin dhe do të takohet me liderët e katër rajoneve të pushtuara, ka bërë të ditur Kremlini të enjten.

Ukraina dhe aleatët e saj e kanë kundërshtuar aneksimin e planifikuar të katër rajoneve – Donetskut, Luhanskut dhe një pjese të madhe të Khersonit e Zaporizhzhias. Kjo është copë e madhe e tokës ukrainase që përmban industrinë e rëndë, tokë pjellore dhe lidhje me Krimenë e pushtuar vite më parë.

Donetsku dhe Luhansku janë shtëpi të republikave të cilat Moska i ka mbështetur që prej vitit 2014, ndërsa Khersoni dhe pjesë të Zaporizhzhias janë kontrolluar nga forcat ruse qëkur nisi pushtimi i Ukrainës në fund të muajit shkurt.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka vlerësuar se nëse Kremlini vazhdon me aneksimin, çdo negociatë me Putini do të jetë e pamundur.

Rusia planifikon të ngulë flamurin e saj mbi 100 mijë kilometra katrorë të territorit ukrainas. Kjo është cilësuar si thyerje flagrante e ligjeve ndërkombëtare ndërkaq referendumet i kanë kundërshtuar shumica e shteteve, përfshirë disa prej vendeve mike siç është Serbia.

Derisa komuniteti ndërkombëtar njëzëri do të refuzojë planin e Rusisë (përjashtuar shtetet mike si Siria dhe Koreja e Veriut), aneksimi ndryshon “faktet në terren” dhe pamundëson nisjen e çfarëdo negociate.

Ky është një dallim i madh mes tërheqjes nga toka e pushtuar me dorëzimin e zonave të cilat zyrtarisht do të absorbohen në tokën amë – sidomos për një lider si Putini që është i fiksuar pas idesë për “Rusinë e Madhe”.

Në fakt ish-presidenti rus, Dimtry Medvedev, gjatë javës së kaluar ka thënë se sapo të integrohen të ashtuquajturat republika në Federatën Ruse, “asnjë lider i ardhshëm i Rusisë nuk do të jetë në gjendje të kthejë prapa vendimet”.

Dhe sapo të ngrihet flamuri rus në këto zona, ato kualifikohen për nivelin e njëjtë të mbrojtjes si në krejt pjesët e tjera të Federatës Ruse, ka thënë të premten ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov.

Kërcënimi bërthamor

Image

Rusët, pjesë të mobilizimit ushtarak, duke u nisur për Ukrainë


Siç ka thënë Alexander Baunov nga Carnegie ENdowment, mesazhi nga Kremlini për aleatët e Ukrainës është ky: “Vendosët të luftonit kundër nesh në Ukrainë, tani tentoni të luftoni kundër nesh brenda Rusisë, ose, të jemi më të saktë, në atë që ne e quajmë Rusi”.

Pjesa e dytë e atij mesazhi – i nxjerrë nga fjalimi i Putinit kur njoftoi për mobilizimin e pjesshëm – është se çdo sulm ndaj asaj që cilësohet si territor rus, fton për luftë në shkallë të plotë.

Në vitin 2020, Putini ka nënshkruar dekretin që përditëson doktrinën bërthamore të Rusisë. Kështu mundësohet përdorimi i armëve bërthamore “në rast të ndonjë agresioni kundër Federatës Ruse me përdorimin e armëve konvencionale, kur vetë ekzistenca e shtetit është nën kërcënim”.

Kuptimi i këtij kërcënimi nuk është shumë i qartë, por gjatë javës së kaluar Putini e ka thënë paralajmërimin më të qartë: “Integriteti ynë territorial, pavarësia jonë dhe liria do të sigurohen, e them përsëri, me të gjitha format që kemi në dispozicion. Dhe ata që tentojnë shantazhin me armë bërthamore duhet ta dinë se erërat mund të kthehen në drejtim të tyre”.

Për shumë analistë paralajmërimet e tilla janë lojë në dëshpërim. Zyrtarët amerikanë kanë thënë se nuk besojnë se Putini do të përdorë armët bërthamore, ani pse nuk e kanë përjashtuar si mundësi.

Kërcënimi është ngritur fort krahasuar me fillimin e vitit. SHBA-ja në muajt e fundit privatisht ka paralajmëruar Rusinë që të mos e bëjë hapin katastrofik. Mirëpo, deri më tani nuk ka shenja se Rusia është duke planifikuar përdorimin e armëve dhe se gjendja e përgjithshme nuk ka ndryshuar, ka thënë një burim për CNN-in.

Përkrahja për Putinin

Putini gjithashtu është duke shpresuar se ceremonia e aneksimit të territorit të ri do të forcojë opinionin publik prapa qëllimeve të tij, vetëm një javë pas ankesave dhe protestave në lidhje me formën e mobilizimit ushtarak.

Ndaj tij kishte përkrahje stratosferike kur Krimeja u aneksua me referendum të ngjashëm në vitin 2014, por shumëçka ka ndryshuar që prej asaj kohe. Rusia është rrëzuar nga sanksionet dhe ka humbur 70 mijë ushtarë në luftën në Ukrainë.

Anatol Lieven, drejtor i Programit të Euroazisë në Institutin Quincy, ka thënë për CNN-in gjatë javës së kaluar se qëllimi i vërtetë i Putinit është “që të bindë SHBA-në dhe evropianët që të jenë seriozë në negocimin e një marrëveshjeje kompromisi për t’i dhënë fund luftës nëse jo kështu, Rusia do të marrë masa radikale, të cilat jo vetëm se do ta detyrojnë Perëndimin të përshkallëzojë, por do të përjashtojnë çdo mundësi të paqes për vitet që do të vijnë”.

Nëse kështu është puna, Putini mund të zhgënjehet. Nuk ka shenja të Ukrainës apo qeverive perëndimore se kanë marrë parasysh një kërcënim të tillë. SHBA-ja sapo ka njoftuar për pakon e re të armëve të teknologjisë së lartë për Ukrainën, përfshirë sistemin HIMARS, që është transferuar në frontin e luftës.

Ndërkaq forcat ukrainase që nuk janë duke menduar dy herë për rrezikun e madh që u kanoset pas sulmit të territorit që Moska e konsideron si të vetin, janë duke përshpejtuar ofensivën në rajonin e Donetskut. Forcat proruse shumë shpejt mund të rrethohen.

Nëse forcat ruse detyrohen të dorëzojnë territorin në zemër të Donbasit, që brenda pak ditësh do të cilësohet si tokë ruse, do të jetë test i hershëm i dorëzimit të Putinit.

Ulirch Speck, analist në Carnegie dhe RFE, ka shkruar të enjten se “nëse nuk ka kufij të përcaktuar qartë, kërcënimi për të mbrojtur kufijtë rusë në Ukrainë edhe me armë bërthamore do të humbë shpejt besueshmërinë dhe do të bëhet i parëndësishëm për luftën”.

John Wolfsthal, ish-zyrtar i kontrollit të armëve në administratën e presidentit Barack Obama, ka thënë se “Putini na ka dhënë një zgjedhje – të pranojmë marrjen e kufijve me forcë dhe të shmangim kërcënimet bërthamore (tani për tani) ose të refuzojmë referendumet dhe të ndihmojmë Ukrainën të ruajë konceptin e saj të shtetit-komb dhe të pranojmë rreziqet bërthamore”. / CNN