Botë

Serbia: Nuk i njohim referendumet e Rusisë në Ukrainë

Ministri serb i Punëve të Jashtme, Nikola Selakoviq, ka deklaruar se Serbia nuk do t'i njohë referendumet ruse mbi Donetsk dhe Luhansk, raportoi mediumi serb “Rs.n1info”, të dielën.

Ai tha se njohja e referendumeve të Rusi, do të ishte në kundërshtim me interesat kombëtare.

“Kjo do të ishte krejtësisht në kundërshtim me interesat tona kombëtare dhe shtetërore, ruajtjen e sovranitetit, të integritetit territorial dhe paprekshmërisë së kufijve”, deklaroi Selakoviq.

Serbia mbetet ndër shtetet e pakta evropiane që nuk i ka vendosur sanksione Rusisë, pas agresionit mbi Ukrainën.

Së fundmi, Serbia dhe Rusia nënshkruan marrëveshje për koordinim të politikës së jashtme.

Marrëveshjen, raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon, e konsideroi skandaloze. Ajo i bëri thirrje Bashkimit Evropian të reagojë, duke ngrirë bisedimet me Serbinë për anëtarësim në BE.

Rusia i ka nisur të premten referendumet në Luhansk, Donetsk, Zaporizhzhia dhe Kherson, territore ukrainase të banuara me shumicë ruse.

Në këto lokacione, siç raportojnë mediat perëndimore, Rusia po i detyron me dhunë banorët rusë të marrin pjesë në referendume, për të votuar pro ndarjes së territoreve.