Botë

Vdiq në moshën 91-vjeçare lideri i fundit sovjetik, Mihail Gorbaçov

Descriptive Text

Ka vdekur në moshën 91-vjeçare ish-lideri sovjet Mihail Gorbaçov.

Gorbaçov, që kishte marrë drejtimin në vitin 1985, është më tepër i njohur për hapjen e ish-Bashkimit Sovjetim dhe për afrimin me Perëndimin, por nuk ishte në gjendje të parandalonte shpërbërjen e vendit në vitin 1991.

Shumë rusë e fajësojnë atë dhe politikat e tij reformuese për shpërbërjen.

Spitali ku vdiq Gorbaçov ka treguar se ai vuante nga një sëmundje e gjatë dhe e rëndë.

Gorbaçov ishte bërë sekretar i përgjithshëm i Partisë Komuniste Sovjetike, dhe de-facto lider i Bashkimit Sovjetik, në moshën 54-vjeçare.

Ai ishte anëtari më i ri i këshillit të njohur si Politburo, dhe ishte parë si frymë e re pas disa liderëve në moshë.

Politika e tij “glasnost”, apo e hapjes, lejoi njerëzit të kritikonin qeverinë në një mënyrë që në të kaluarën nuk mendohej se mund të ndodhte.

Mirëpo, po ashtu nxiti sentimentet nacionaliste në shumë rajone të shtetit dhe në fund çuan në shpërbërjen.

Ndërkombëtarisht ai arriti marrëveshje për kontrollin e armëve me SHBA-në dhe refuzoi të intervenonte kur shtetet lindore të Evropës u ngritën kundër liderëve të tyre komunistë.

Ai në Perëndim ishte si arkitekt i reformës që ka krijuar kushte për fundin e Luftës së Ftohët.

Mirëpo, në Rusinë e re që doli pas vitit 1991, ai qëndroi në periferi të politikës, duke u përqendruar në projekte arsimore e humanitare.

Ai bëri një përpjekje për t’u kthyer në jetën politike në vitin 1996, duke marrë vetëm 0.5 për qind të votave në zgjedhjet presidenciale.

Vitet ne fundit shëndeti i tij ishte në rënie.

Ai do të varroset në varrezat “Novodevichy” në Moskë, vend ku janë varrosur shumë rusë të shquar. Do të varroset pranë gruas së tij Raisa, që vdiq në vitin 1999, ka njoftuar agjencia ruse e lajmeve TASS.