Vuçiqi, kandidat për kryetar të Serbisë

Vuçiqi, kandidat për kryetar të Serbisë

15 shkurt 2017 08:44

Partia Përparimtare Serbe (SNS), që e ka pushtetin në këtë shtet, do ta emërojë kryeministrin Aleksandar Vuçiq si kandidat për Presidencë, ka deklaruar të martën ministri i Brendshëm serb, Nebojsha Stefanoviq.

Zgjedhjet presidenciale pritet të mbahen në prill dhe në to kandidati i SNS-së do të garojë me kandidatë prej opozitës së përçarë, shkuan Reuters, transmeton “Koha Ditore”.

Derisa roli i presidentit është kryesisht ceremonial, po qe se ai kontrollon edhe shumicën parlamentare, atëherë mund të ketë ndikim të madh mbi qeverinë dhe kryeministrin e ri.

Koalicioni qeverisës, që ka një shumicë komode në parlamentin me 250-ulëse në Serbi, mund ta caktojë edhe kryeministrin, pa pasur nevojë për votën e popullit.

“Presidenti që kontrollon shumicën parlamentare, e rrjedhimisht edhe qeverinë, është de facto figura më e fuqishme politike në këtë shtet. Po qe se Vuçiqi e ruan kontrollin mbi partinë e tij, atëherë fuqia e tij politike do të jetë e pakufizuar”, ka thënë Nebojsha Spaiq, konsulent për media, me seli në Beograd.

Zgjedhjet në Serbi do të jenë test i rëndësishëm për popullaritetin që gëzon Vuçiqi dhe reformat e tij ekonomike, që janë mbështetur prej Fondit Monetar Ndërkombëtar, ashtu si edhe përpjekjet e tij që këtë shtet me 7.3 milionë banorë ta afrojë me Bashkimin Evropian.

“Unanimisht. Është Vuçiqi”, ka thënë Stefanoviq, aleati kryesor i kryeministrit, pas takimit të udhëheqjes së partisë SNS.

Sipas sondazheve, Vuçiqi do të fitonte zgjedhjet qysh në raundin e parë, me më shumë se 50 për qind të votave.

Partia vendosi që të mos e mbështesë kandidaturën e presidentit aktual, Tomislav Nikoliq, ultranacionalist dhe ish-kryetar i SNS-së.

Largimi i Nikoliqit, që përkrah lidhje më të ngushta midis Beogradit dhe Rusisë, mund të nënkuptojë afrim më të madh me BE-në dhe përmirësim të raporteve me NATO-n.

Në deklaratë SNS ka thënë se Vuçiqi, që është në të njëjtën kohë president i partisë, tani duhet të nisë bisedimet me partnerët e tij të koalicionit, “në përpjekjet për të siguruar mbështetje të madhe popullore për fitoren”.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme