Botë

Meksika e Kuba raportojnë vdekjen e dy pacientëve me linë e majmunit

Meksika dhe Kuba kanë raportuar vdekjen e dy personave që kishin rezultuar pozitivë me linë e majmunëve, megjithëse asnjëri nga vendet nuk ia atribuoi vdekjet sëmundjes virale, shkroi të martën Reuters.

Raportet pasojnë vdekjet e lidhura me linë e majmunëve të raportuara në Brazil dhe Ekuador në muajin e kaluar, por vazhdojnë të mbeten të rralla.

Organizata Pan-Amerikane e Shëndetësisë ka raportuar të paktën 21,200 raste të konfirmuara të lisë së majmunëve në Amerikë, dhe mbi 80 vende në mbarë botën kanë raportuar raste të reja të sëmundjes, e cila është endemike në pjesë të Afrikës.

Ministria e shëndetësisë e Meksikës tha të martën se ekspertët po hetojnë vdekjen e një pacienti, i cili kishte vdekur nga shoku septik dhe pneumonia pasi rezultoi pozitiv me linë.

Meksika ka raportuar 386 raste të konfirmuara dhe 862 raste të mundshme të infeksionit të lisë së majmunit.

Autoritetet kubane thanë se një 50-vjeçar italian vdiq të dielën pasi u diagnostikua me këtë infeksion të shtunën.

Ministria e shëndetit publik tha se turisti, i cili kishte mbërritur më 15 gusht, kishte qenë në një gjendje të paqëndrueshme që nga e enjtja, ndërsa i ishte përkeqësuar shëndeti me shpejtësi.

Raporti i autopsisë tregon se shkaku i vdekjes ishte sepsis i lidhur me pneumoni dhe dëmtim të organeve.