Botë

Pesë të vrarë nga një shpërthim në Ekuador

Të paktën pesë persona u vranë, 15 u plagosën dhe të tjerë u zhdukën në qytetin port ekuadorian të Guayaquil nga të shtënat dhe një shpërthim, njoftuan sot autoritetet e vendit.

Prokuroria e Ekuadorit njoftoi në Twitter se po mbledhin prova për të përcaktuar shkakun dhe motivin e sulmit në lagjen Cristo del Consuelo në qytetin e Guayaquil.

Ministri i Brendshëm Patricio Carrillo njoftoi në Twitter se anëtarët e krimit të organizuar në Ekuador "tani po sulmojnë me mjete shpërthyese".

“Kjo dhunë është shpallje lufte ndaj vendit. Ose do të bashkohemi për ta përballuar atë ose çmimi për shoqërinë do të jetë edhe më i lartë," shkroi Carrillo.

Në Guayaquil, i cili ndodhet 270 kilometra në jugperëndim të kryeqytetit Quito, ka të shtëna dhe vrasje të shpeshta nga anëtarët e bandave rivale që besohet se janë të lidhura me tregtinë kombëtare dhe ndërkombëtare të drogës.