Botë

Myslimanët ukrainas që po luftojnë kundër Rusisë

Descriptive Text

Ata që u janë bashkuar përpjekjeve të luftës kundër forcave ruse gjithashtu luftojnë padrejtësitë e kaluara dhe për t'u kthyer në Krime. Khadzali ka lindur në Kharkiv, qyteti i dytë më i madh i Ukrainës, nga një nënë ukrainase dhe një baba sirian. Ai e vizitonte rregullisht Sirinë derisa atje shpërtheu lufta në vitin 2011. Në vitin 2015, ndërhyrja e Rusisë në luftën civile tashmë 11-vjeçare të Sirisë ia ktheu peshoren në favor të regjimit të Asadit. “Të dy vendlindjet e mia, Ukraina dhe Siria, u pushtuan nga rusët”, thotë Khadzali

Ali Khadzali qëndron mes ndërtesave të shkatërruara të qytetit të tij të lindjes, Kharkiv, rreth 50 kilometra nga kufiri i Ukrainës me Rusinë.

Që nga fillimi i pushtimit të plotë të Rusisë në shkurt, Khadzali ka punuar me një ekip prej gjashtë vullnetarësh për të ofruar ndihmë humanitare dhe për të evakuuar njerëzit nga zonat e goditura rëndë nga luftimet.

Khadzali, një 30-vjeçar me karakter të butë, simpatik, ka veshur një kësulë, një bluzë me kapuç dhe pantallona. Ai është në pushim midis detyrave të ditës, herët një pasdite në mes të majit. Forcat ruse janë larguar nga qyteti, por granatimet intensive kanë bërë që pjesa më e madhe e periferive veriore të jenë të bëra copa.

Zhurma e largët e artilerisë ende kumbon nëpër këtë lagje tashmë të zbrazët. Aty pranë, një shesh lojërash me kolovajza shumëngjyrëshe është çuditërisht i paprekur, i rrethuar nga ndërtesa të larta të nxira dhe të çara nga bombardimet me javë të tëra.

Khadzali ka lindur në Kharkiv, qyteti i dytë më i madh i Ukrainës, nga një nënë ukrainase dhe një baba sirian. Ai e vizitonte rregullisht Sirinë derisa atje shpërtheu lufta në vitin 2011. Në vitin 2015, ndërhyrja e Rusisë në luftën civile tashmë 11-vjeçare të Sirisë ia ktheu peshoren në favor të regjimit të Asadit.

“Të dy vendlindjet e mia, Ukraina dhe Siria, u pushtuan nga rusët”, thotë Khadzali.

Image
Edhe pse myslimanët përbëjnë vetëm rreth 1 për qind të vendit kryesisht të krishterë me 44 milionë banorë, shumë prej tyre u janë bashkuar përpjekjeve të luftës pas pushtimit rus

Bashkimi në përpjekjet e luftës

Në vitin 2015, Khadzali u bë një kapedan - një imam që ofronte shërbime shpirtërore brenda një konteksti ushtarak. Vitin e kaluar revolucioni në Maidan pa ukrainasit të dilnin në rrugë për të protestuar kundër Qeverisë pro-ruse të presidentit Victor Janukovych. Forcat e tij u përgjigjën me një goditje brutale që vrau më shumë se 100 protestues dhe plagosi mijëra. Yanukovych u përmbys dhe menjëherë pas kësaj, separatistët e mbështetur nga Rusia morën armët në rajonet e Donbasit të Donetskut dhe Luhansk, duke filluar një luftë tetëvjeçare dhe pararendëse e pushtimit të Rusisë në shkurt të vitit 2022.

I nxitur nga "vëllezërit e tij islamikë" për të marrë rolin e ri, Khadzali kishte kërkuar një mënyrë për të ndihmuar vendin e tij dhe mendonte se ai mund ta bënte më së miri këtë duke mbështetur numrin e vogël të trupave myslimane të shpërndara në Donbas.

"Cila mund të jetë një mënyrë më e mirë sesa të luash një rol që lidhet me ushtrinë në një vend në luftë?" - thotë Khadzali.

Si prijës, ai drejtoi lutjet, siguroi ushqimet hallall dhe ofroi udhëzime fetare, mbështetje psikologjike dhe udhëzime për të drejtat e njeriut për trupat.

“Thjesht, biseda me trupat”, thotë ai, ka qenë një pjesë thelbësore e detyrës së tij. "Kjo mund të jetë edhe gjëja më e rëndësishme".

Ai ende i kryen këto detyra, por sot roli i tij është edhe më i madh; shpesh e kalon kohën duke ndihmuar njerëzit në zona të rrezikshme të vijës së parë.

Edhe pse myslimanët përbëjnë vetëm rreth 1 për qind të vendit kryesisht të krishterë me 44 milionë banorë, shumë prej tyre u janë bashkuar përpjekjeve të luftës pas pushtimit rus. Shumë prej tyre janë të shtyrë nga një histori e padrejtësive ruse ndaj komuniteteve myslimane dhe mbështetjes për atë që shihet si një Ukrainë e hapur dhe tolerante.

Shumica e popullsisë myslimane të Ukrainës janë tatarë të Krimesë, myslimanë sunitë me origjinë turke. Për ata që luftojnë, është gjithashtu një luftë për t'u kthyer në atdheun e tyre, Krime, një gadishull me tokë stepash që del në Detin e Zi dhe i mbështetur nga malet në jug, i aneksuar nga Rusia në vitin 2014.

Tatarët e Krimesë: të torturuar në të kaluarën e afërt

Islami ka një histori të gjatë dhe të rëndësishme në Ukrainë, jo vetëm si një fe e sjellë nga tregtarët dhe misionarët shëtitës dhe e mbështetur nga komunitetet pakicë, por si bazë e krijimit të shtetit. Si fe e Khanatit të Krimesë, e cila zgjati nga shekulli i 15-të deri në shekullin e 18-të, islami la një gjurmë të pashlyeshme politike dhe kulturore.

Megjithatë, tatarët e Krimesë kanë një të kaluar të afërt me tortura. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Stalini nuk toleroi asnjë kërcënim, real apo të perceptuar, dhe dëboi popullsi të tëra që mendohej se kishin bashkëpunuar me nazistët në rajone të tjera brenda pafundësisë së perandorisë sovjetike.

Në mesin e atyre që u vunë në shënjestër ishin popullsitë myslimane të Çeçenisë dhe Ingushetisë, sot të dyja republika ruse në Kaukazin verior, të cilat u larguan me forcë nga vendlindja e tyre në vitin 1944.

Çeçenët që luftojnë në anën e Ukrainës, kryesisht si vullnetarë të huaj, shohin një mundësi për hakmarrje pas dy luftërave të përgjakshme për pavarësi që filluan në vitin 1994, pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, dhe zgjatën deri në vitin 2009 dhe panë forcat ruse të rrafshojnë për toke kryeqytetin çeçen, Grozny.

Më 18 maj 1944, vetëm disa ditë pasi Ushtria e Kuqe dëboi forcat e Boshtit nga Krimeja, tatarët e Krimesë u mblodhën kolektivisht nga policia sekrete dhe u dëbuan, të akuzuar për bashkëpunim nazist. Nuk u kursyen as tatarët e Krimesë në Ushtrinë e Kuqe dhe ata me statusin e "Heronjve të Bashkimit Sovjetik".

Familjet u hodhën në vagonë bagëtish të mbyllura dhe pa ajër dhe u internuan në pjesë të largëta të Bashkimit Sovjetik, kryesisht në Uzbekistan.

E gjithë popullsia prej rreth 200 mijë tatarësh të Krimesë u tërhoq. Mijëra vdiqën në udhëtimin e mundimshëm dhe mijëra të tjerë nga kequshqyerja dhe sëmundjet në fermat kolektive dhe në kampet e punës të ngjashme me burgun ku u dërguan.

Image
Për shumë prej myslimanëve të Ukrainës, toleranca fetare e vendit dhe lëvizja drejt politikave më të hapura dhe demokratike qëndrojnë gjithashtu pas mbështetjes së tyre

Ndikimi i traumave

Familja e Isa Akaev-it, komandant i një njësie vullnetare që shërben në Ukrainë, ishte mes atyre që u dërguan nga Krimeja në një fermë kolektive 100 km nga Samarkandi në Uzbekistan.

Akaev, 57 vjeç, trupmadh, mjekrosh dhe i devotshëm, është baba i 13 fëmijëve dhe figurë babai për një grup më të madh luftëtarësh. Gjatë një pushimi nga detyrat e tij në kryeqytetin Kiev, ai kujton se fillimisht mësoi për dëbimet në vitet 1970 në Uzbekistan, ku u rrit.

Ai ishte rreth 10 vjeç dhe një anëtar i flaktë i Pionierëve të Rinj, përgjigjja sovjetike ndaj lëvizjes që bënte gati fëmijët për një të ardhme në Partinë Komuniste.

Ai kishte vizituar atdheun e tij në Krime për të marrë pjesë në një kamp të pionierëve dhe në një shfaqje kulturore i tha mësuesit të tij se do të sillte diçka për të përfaqësuar trashëgiminë e tij tatareje të Krimesë, vetëm për t'i thënë atij më vonë se nuk kishte diçka të tillë.

Kur Akaev u kthye në Uzbekistan, i hutuar, shkoi te nëna e tij, e cila edhe pse e mërzitur i tha që ta shpërfillte incidentin. Midis shumë familjeve të dëbuara, mërgimi i komunitetit ishte një sekret i shtypur prej kohësh. Disa preferuan të mos zbulonin traumat e vjetra. Të tjerët nuk donin të tërhiqnin vëmendjen tek vetja duke ritreguar një histori të pasanksionuar.

Por gjyshja e Akaevit, ndoshta më sfiduese dhe e lodhur nga vetëcensurimi në vitet e saj të mëvonshme, i tregoi atij historinë e plotë.

Ajo një herë tregoi shallin e kuq të pionierit që ai mbante me krenari rreth qafës së tij dhe e quajti atë "jakë sovjetike". Nuk e veshi më kurrë para saj.

Beteja për liri

"Ajo fliste shpesh për Krimenë", thotë Akaev për gjyshen e tij, "për bukurinë e saj, natyrën e saj dhe për bregdetin e saj", të dashur prej kohësh nga elita ruse si një mjedis për vilat e tyre luksoze.

Ndërsa Ukraina pas Maidanit i ka njohur dëbimet si gjenocid, Rusia ka hezituar t'i lejojë tatarët e Krimesë të kujtojnë historinë e tyre sipas dëshirës. Më 18 maj 2014, mijëra në Krime kundërshtuan ndalimin për të marrë pjesë në takime për të shënuar 70-vjetorin e dëbimeve mes një pranie të madhe policore.

Për shumë prej myslimanëve të Ukrainës, toleranca fetare e vendit dhe lëvizja drejt politikave më të hapura dhe demokratike qëndron gjithashtu pas mbështetjes së tyre.

Tatarët e Krimesë dhe të tjerët që kanë qenë në fundin e mprehtë të imperializmit rus thonë se e dinë se çfarë është në rrezik në këtë luftë.

Për Khadzalin dhe të tjerët, lufta ka treguar forcën e një shoqërie të bashkuar./Al-Jazeera

Përktheu: Forca Jashari