Botë

Trumpi dyshohet se “privatizoi” dokumentet e klasifikuara bërthamore

“Washington Post” citoi njerëz të informuar me hetimin që thanë se agjentët federalë po kërkonin dokumente të klasifikuara në lidhje me armët bërthamore, ndër të tjera, në vendpushimin e Trumpit. Burimet nuk i përshkruan dokumentet në detaje dhe as nëse kishin lidhje me armët bërthamore që i përkisnin SHBA-së apo një shteti tjetër. Televizioni CNN nuk e ka konfirmuar në mënyrë të pavarur raportin

Një raport se agjentët e FBI-së kërkuan dokumente të klasifikuara në lidhje me armët bërthamore në resorin e Donald Trumpit në Florida, mund të shpjegojë urgjencën e operacionit të paprecedentë në shtëpinë e ish-presidentit dhe e çon përballjen e tij me Departamentin e Drejtësisë në nivel tjetër, shkruan televizioni CNN.

Raporti në “The Washington Post” mund të nënvlerësojë gjithashtu ligjvënësit republikanë, të cilët nuk pritën për detajet e rastit përpara se të kritikonin bastisjen që ata pretendonin se ishte më tipike për një shtet tiranik. Zhvillimi i fundit gjithashtu rrit më tej aksionet e një beteje ligjore në përshkallëzim pasi prokurori i përgjithshëm, Merrick Garland, e akuzoi ish-presidentin dhe ish-komandantin e përgjithshëm për blof dhe, në një veprim të pazakontë, i kërkoi një gjykate të zhbllokonte urdhrin e bastisjes dhe inventarin e pronës së marrë nga Shtëpia e Trumpit.

Thellim ndasish

Detajet në raportin e “Postit” u publikuan në një ditë tjetër të jashtëzakonshme që përsëriti kaosin dhe akuzat e presidencës së Trumpit, dhe krijoi ndarje të reja politike të ashpra përpara kandidimit të mundshëm të ish-presidentit për Shtëpinë e Bardhë, vlerëson CNN.

Gazeta “Post” citoi njerëz të informuar me hetimin duke thënë se agjentët federalë po kërkonin dokumente të klasifikuara në lidhje me armët bërthamore, ndër të tjera, në vendpushimin e Trumpit. Njerëzit nuk i përshkruan dokumentet në detaje dhe as nëse ato kishin të bënin me armët bërthamore që i përkisnin SHBA-së apo një shteti tjetër. Televizioni CNN nuk e ka konfirmuar në mënyrë të pavarur raportin.

“Por nëse rezulton se Trumpi ka marrë material të tillë nga Shtëpia e Bardhë, do të ngrinte pyetjen se përse një ish-president do të kishte nevojë për sekrete të tilla të ruajtura nga afër pas largimit nga detyra. Mundësia që një material i tillë të mbahej në një objekt të pasigurt, ku mysafirët shkojnë e vijnë dhe ku do të ishte potencialisht i prekshëm nga depërtimi i një shërbimi të huaj inteligjent, do t’i alarmonte zyrtarët qeveritarë”, shkruan CNN.

Në betejën e intensifikuar ligjore për bastisjen, Trumpi ka kohë deri në orën 15.00 (sipas kohës amerikane) për të sinjalizuar zyrtarisht nëse ai do ta kundërshtojë lëvizjen e Garlandit.

“Është radha juaj zoti ish-president”

Në një deklaratë në rrjetin e tij "Truth Social" të enjten vonë, ish-presidenti tha se nuk do të kundërshtonte publikimin e dokumenteve në lidhje me "bastisjen dhe thyerjen joamerikane, të pajustifikuar dhe të panevojshme" të shtëpisë së tij. Ai nuk tha saktësisht se cilat dokumente do të donte të publikoheshin. Dhe aksioni i FBI-së nuk ishte antiligjor; ishte i autorizuar ligjërisht nga një urdhër i miratuar nga një gjyqtar i cili do të duhej të kishte gjetur shkakun e mundshëm për bastisje.

Urdhrat e kërkimit zakonisht mbahen të vulosura për të mbrojtur reputacionin e personit për të cilin aplikojnë. Por vetë Trumpi dha lajmin për bastisjen, duke davaritur kështu pritshmëritë e tij për privatësinë, në mënyrë që të orkestrojë një stuhi politike për të diskredituar hetimin. Dhe nëse Trumpi do të luftonte për ta mbajtur të fshehur dokumentin, do të dukej edhe më shumë sikur ka diçka për të fshehur, vlerëson CNN në analizën pas shkrimit hulumtues të “Washington Post”.

"Ky është një veprim pro", tha Phil Mudd, ish-zyrtar i FBI-së dhe CIA-s, për veprimet e Garlandit në "Dhomën e Situatës me Wolf Blitzer".

Nëse Trumpi vendosi ta kundërshtojë zbërthimin e urdhër-arrestit - një hap që mund t’i neutralizojë pretendimet e republikanëve se ish-presidenti është cak i viktimizimit politik - avokatët e tij do të duhet të shpjegojnë pse në gjykatë. Gjykatësi në këtë çështje, i cili ka marrë kërcënime me vdekje dhe abuzime në mediat sociale nga mbështetësit e Trumpit, mund të vendosë ende ta mbështesë mocionin e Departamentit të Drejtësisë, edhe nëse ish-presidenti dëshiron ta mbajë sekret informacionin.

“Lufta me gënjeshtrën”

“Kjo është se si duket kur sheh sundimin e ligjit duke luftuar kundër gënjeshtrave të Trumpit”, i tha Erin Burnett të CNN Nick Akerman, ish-ndihmësavokat i SHBA-së për Distriktin Jugor të Nju Jorkut. "Unë mendoj se është jashtëzakonisht e pamundur që Donald Trumpi të mbizotërojë këtu”.

“Loja e Garlandit është një përpjekje e qartë për të rikthyer tërbimin e zyrtarëve republikanë për urdhrin e paprecedentë të bastisjes në shtëpinë e ish-presidentit. Ligjvënësit, ekspertët e medias dhe mbështetësit e Trumpit kanë hedhur pretendime të pabazuara se SHBA-ja tani nuk është gjë tjetër veçse një shtet policor, me një polici sekrete të ngjashme me Gestapo-n, dhe se ka rënë në tirani”, kujton CNN akuzat e republikanëve pro-Trumpit.

Duke dalë para kamerave në Departamentin e Drejtësisë, Garlandi nuk e quajti vetëm blof. Ai u përpoq ta mbronte departamentin e tij dhe procesin gjyqësor pasi këmbënguli se çdo hap në hetim ishte marrë me maturi. “Përqafimi besnik ndaj shtetit të së drejtës është parimi themelor i Departamentit të Drejtësisë dhe i demokracisë sonë”, tha Garland.

“Të respektosh shtetin e së drejtës do të thotë të zbatosh ligjin në mënyrë të barabartë, pa frikë apo favore”, tha ai, duke lënë të kuptohet se as ish-presidentët nuk mbrohen nëse ka dyshime se kanë kryer një krim. Garland foli gjithashtu me forcë në mbrojtje të FBI-së dhe Departamentit të Drejtësisë, duke i quajtur ata “nëpunës publikë të përkushtuar, patriotë”, pasi, sikur se shkruan CNN, “lakejtë e Trumpit e portretizojnë byronë si një krah të politizuar të mashtrimit demokratik”.

Për teh shpate

Deklaratat e prokurorit të përgjithshëm, një moment dramatik në Washington, ishin shenjë e ndjeshmërisë dhe e rëndësisë së jashtëzakonshme të hetimit ndaj ish-presidentit. Në përgjithësi, FBI-ja tregon pak për hetimet në vazhdim nëse dikush nuk akuzohet -- një hap që, nëse ndodh, duket disi i largët në këtë rast.

Një urdhër kërkimi i pavulosur nuk do të përcaktojë plotësisht nëse masa e departamentit kundër Trumpit ishte e justifikuar apo ishte tejkalim. Por nisma e Garlandit sugjeron besim të fortë në çdo rast që byroja po ndërton kundër Trumpit. Ai gjithashtu tregon se departamenti qëndron pas vendimit për të vazhduar me bastisjen - me dijeninë e qartë se do të shkaktonte një reagim të jashtëzakonshëm dhe të ashpër të Trumpit.

Ideja se e gjithë afera është vetëm një komplot i motivuar politikisht i krijuar nga hakerët ligjorë, është shumë më e vështirë të besohet pas paraqitjes së Garlandit, analizon televizioni CNN.

Avokatët e Trumpit ende nuk i janë përgjigjur mocionit të Departamentit të Drejtësisë.

Ish-presidenti duket se ka tri opsione. Ai mund të publikonte urdhrin e bastisjes dhe inventarin e gjërave që FBI-ja i mori nga vendpushimi i tij; ai mund të pranojë kërkesën e Departamentit që ajo të publikohet nga gjykata; ose mund të kundërshtojë publikimin e urdhrit.

Në një rrjedhë logjike, opsioni i fundit do të dukej i pamundur pasi ish-presidenti shkatërroi privatësinë e tij duke kumtuar lajmin për aksionin e FBI-së në një xhirim të politizuar mbrëmjen e së hënës. Dhe Departamenti i Drejtësisë po argumenton në thelb në paraqitjen e tij në gjykatë se interesi i publikut për të ditur se çfarë çoi në të vërtetë në bastisje është tani më i madh se interesi i Trumpit për t’i mbajtur të fshehta detajet. Interesi publik është ndoshta edhe më i madh në dritën e raportimit të “Washington Postit” për dokumentacionin bërthamor.

“Por, Trumpi nuk luan sipas rregullave normale”, shkruan CNN. Nëse ish-presidenti do të vazhdojë me zotimin e tij për të mos kundërshtuar publikimin e dokumenteve në këtë rast, ka të ngjarë të bëhet më e qartë.