Botë

Izraeli vret një militant të rëndësishëm palestinez, rritet numri i të vdekurve në Gaza

Izraeli ka vrarë një militant të dytë të lartë nga grupi i Xhihadit Islamik Palestinez (PIJ), ndërsa numri i të vdekurve vazhdon të rritet nga sulmet ajrore në Gaza.

Gjashtë fëmijë dhe disa luftëtarë të PIJ-së - duke përfshirë udhëheqësit Khaled Mansour dhe Tayseer Jabari, janë ndër 28 palestinezët që kanë vdekur.

Gati 400 raketa dhe mortaja palestineze janë hedhur në drejtim të Izraelit që nga e premtja, tha një zyrtar izraelit, raportoi BBC të dielën.

Izraeli thotë se nisi operacionet për shkak të "kërcënimit të menjëhershëm" nga PIJ.

Dhuna e fundit është shpërthimi më serioz midis Izraelit dhe Gazës që nga një konflikt 11-ditor në maj të vitit 2021 që la më shumë se 200 palestinezë dhe dhjetëra izraelitë të vdekur.

Ushtria izraelite paralajmëron se ky operacion i fundit - i koduar Breaking Daën - mund të zgjasë për një javë.

Në ditën e dytë të dhunës, Izraeli vrau të shtunën udhëheqësin e lartë të PIJ-së Khaled Mansour në një sulm ajror në një shtëpi në Rafah, në jug të Gazës.

Komandanti i kishte mbijetuar më parë pesë tentativave për vrasje nga ushtria izraelite, e cila e akuzoi atë për planifikimin e operacioneve militante jashtë Gazës.

Vdekja e tij vjen pas një sulmi vdekjeprurës ajror izraelit kundër Tayseer Jabari, një tjetër komandant i lartë i PIJ, të premten.