Nis gjykimi ndaj 17 gazetarëve në Turqi, akuzohen për ndihmë ndaj “organizatës terroriste” Foto: Reuters

Nis gjykimi ndaj 17 gazetarëve në Turqi, akuzohen për ndihmë ndaj “organizatës terroriste”

24 korrik 2017 19:20

Shtatëmbëdhjetë gazetarë dhe punëtorë në gazetën opozitare turke “Cumhuriyet” u përballën të hënën me akuza për ndihmë ndaj “organizatës terroriste” FETO të Fethullah Gulenit.

Nëse shpallen fajtorë këtë javë, ata mund të përballen me dënime deri në 43 vjet burgim, raporton KTV.

Dhjetë prej tyre tashmë kanë qenë në paraburgim për pothuajse nëntë muaj.

E, në gjykatën e Stambollit një numër i madh mbështetësish hodhën balona në shenjë solidarizimi dhe kërkuan lirimin e tyre.

Ndërkaq, kishte kaos kur ata u përpoqën të hynin në gjykatë për fillimin e gjykimit.

Një nga gazetarët që pritet të gjykohet është Turhan Gunay, 71-vjeçar, i cili ushtron edhe detyrën e kryeredaktorit në një shtojcë të gazetës.

Para një jave, Turqia shënoi përvjetorin e parë të grusht-shtetit të dështuar, me ç’rast ishin organizuar ceremoni përkujtimore në ditën që nga pushteti konsiderohet si triumf i demokracisë.

Turqia aktualisht renditet si vendi me numrin më të madh të gazetarëve të burgosur.

Më shumë se 150 gazetarë janë prapa grilave, shumica e të cilëve akuzohen për terrorizëm.

Megjithatë, Qeveria kundërshton këto shifra.

Gjatë intervistës për BBC-në këtë muaj, presidenti turk Recep Tayyip Erdogan tha se janë vetëm dy gazetarë të burgosur në vend.

Sipas Erdoganit, pjesa tjetër e të arrestuarve janë terroristë apo persona që mbanin armë të paautorizuara.

Në zhvillimet tjera në Turqi, 47 protestues u arrestuan në kryeqytetin Ankara, derisa protestonin në mbështetje të lirimit të dy mësimdhënësve të arrestuar për shkak të hyrjes në grevë urie.

Mësimdhënësja, Nuriye Gulmen dhe mësuesi Semih Ozakca, u burgosën dy muaj më parë, pasi gjykata vendosi se greva e tyre ishte bërë në emër të një grupi të majtë terrorist.

Policia përdori gaz lotsjellës kundër protestuesve në sheshin Kizilay të Ankarasë.

E, gjatë javës së shkuar, policia turke ka arrestuar të paktën 15 persona pasi ata mbanin veshur bluza me një parullë që autoritetet thonë se është mesazh i fshehur në mbështetje të organizatën së klerikut Fetullah Gylen.

Në bluza shkruhej “Heronjtë janë të pavdekshëm”, slogan ky që për autoritetet turke është pro pjesëmarrësve në grusht-shtet.

Mediat raportuan sot se janë arrestuar edhe disa dasmorë që kishin ngritur dy gishtërinj lart.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme