Botë

Zbulimi i FBI: Kina do të ndërtonte një kopsht për të spiunuar sistemin amerikan të mbrojtjes

Në vitin 2017, qeveria kineze ofroi të investonte 100 milionë dollarë për të ndërtuar një kopsht kinez në Uashington, por inteligjenca amerikane shpejt kuptoi se ishte një përpjekje për të spiunuar sistemin amerikan të mbrojtjes.

I kompletuar me tempuj dhe pavijone, projekti kinez tërhoqi zyrtarët lokalë, të cilët shpresonin se do të siguronin mijëra turistë çdo vit. Por kur zyrtarët e kundërzbulimit amerikan filluan të gërmojnë në detaje, ata u shqetësuan. Projekti kishte në plan të vendosej strategjikisht në një nga pikat më të larta në Uashington, një vend i përsosur për spiunazh, raporton CNN.

Shqetësues është edhe fakti që zyrtarët kinezë donin të ndërtonin një faltore me materiale që i dërgoheshin SHBA-së me pako diplomatike dhe të cilën doganierët amerikanë e kishin të ndaluar ta inspektonin.

Zyrtarët federalë e ndaluan në heshtje projektin përpara se të fillonte ndërtimi. Projekti i anuluar i kopshtit është pjesë e një përpjekjeje kundërzbulimi nga FBI dhe agjenci të tjera federale të fokusuara në atë që ka qenë një përshkallëzim dramatik i spiunazhit kinez në tokën amerikane gjatë dekadës së fundit.

Që nga viti 2017, zyrtarët federalë kanë hetuar blerjet e tokës në infrastruktura kritike, kanë mbyllur një konsullatë rajonale të profilit të lartë që qeveria e SHBA-së beson se është një vatër për spiunët kinezë dhe kanë penguar atë që ata e panë si përpjekje të qartë të Kinës për të vendosur pajisje dëgjimi pranë objekteve të ndjeshme ushtarake dhe shtetërore amerikane.

Ndër gjërat më alarmante që ka zbuluar FBI-ja janë pajisjet kineze Huawei në majë të kullave pranë bazave ushtarake amerikane.

FBI-ja konkludoi se pajisjet ishin të afta të përgjonin dhe të prishnin komunikimet e Departamentit të Mbrojtjes, përfshirë ato të përdorura nga Komanda Strategjike e SHBA-së, e cila mbikëqyr armët bërthamore të vendit.

Megjithëse shqetësimi për pajisjet Huawei pranë instalimeve ushtarake amerikane është i njohur mirë. Ekzistenca e këtij hetimi dhe gjetjet e tij nuk janë bërë kurrë publike. Origjina e tyre daton të paktën në administratën e Barack Obamas. Kjo u konfirmua për CNN nga shumë burime, duke përfshirë zyrtarë aktualë dhe ish-zyrtarë të sigurisë kombëtare, të cilët folën në kushte anonimiteti.

Është e paqartë nëse komuniteti i inteligjencës ka marrë vesh se ndonjë e dhënë është përgjuar dhe dërguar në Pekin nga ato kulla.

Ekspertët thonë se është tepër e vështirë nga pikëpamja teknike të vërtetohet se një paketë të dhënash është vjedhur dhe dërguar jashtë vendit. Qeveria kineze mohon me këmbëngulje çdo aktivitet spiunazhi në SHBA.

Në një deklaratë për CNN, Huawei mohoi gjithashtu se pajisjet e saj janë të afta të funksionojnë në çdo spektër komunikimi të caktuar për Departamentin e Mbrojtjes të SHBA-së.