Botë

Gara për dronët vdekjeprurës në luftën e Ukrainës

Potencialisht me dobi më të madhe për të arritur në deponitë ruse të municioneve dhe postet komanduese janë 121 dronët ushtarakë të avancuar të quajtur Phoenix Ghosts, që SHBA-ja i bleu për Ukrainën në maj.

Pamjet e kamerave të dronëve përcaktojnë pjesën më të madhe të pikëpamjes së publikut për luftën në Ukrainë: granata të hedhura në heshtje mbi ushtarët armiq, fluturime të frikshme mbi qytete të heshtura, të bombarduara, forca të blinduara dhe poste që shpërthejnë në topa zjarri.

Asnjëherë në historinë e luftës dronët nuk janë përdorur aq intensivisht sa në Ukrainë, ku ata shpesh luajnë një rol të madh në atë se kush jeton dhe vdes. Rusët dhe ukrainasit varen shumë nga mjetet ajrore pa pilot, për të identifikuar pozicionet e armikut dhe për t’i drejtuar sulmet e artilerisë të tyre djallëzore.

Por pas disa muajsh luftime, flotat e dronëve të të dyja palëve janë varfëruar dhe ata po garojnë për të ndërtuar ose blerë llojin e dronëve të avancuar, rezistent ndaj bllokimit, që mund të ofrojë një avantazh vendimtar.

Urgjenca u reflektua nga zbulimi i Shtëpisë së Bardhë, të hënën, se ka informacione se Irani do të dërgojë "deri në disa qindra" mjete ajrore pa pilot në ndihmë të Moskës. Dronët e furnizuar nga Irani kanë depërtuar efektivisht në sistemet e mbrojtjes ajrore të Arabisë Saudite dhe Emirateve, të furnizuara nga SHBA-ja, në Lindjen e Mesme.

“Forca e dronëve rusë mund të jetë ende e aftë, por e rraskapitur. Dhe rusët po kërkojnë të përfitojnë nga një histori e provuar iraniane", tha Samuel Bendett, analist në institutin ushtarak CNA.

Planet e Ukrainës

Ndërkohë, Ukraina dëshiron mjetet “për të goditur objektet e komandës dhe kontrollit rus në një distancë të konsiderueshme”, tha Bendett.

Kërkesa për modelet e konsumatorit jashtë raftit mbetet intensive në Ukrainë, si dhe përpjekjet për të modifikuar dronët amatorë, për t'i bërë ata më rezistentë ndaj bllokimit. Të dyja palët po financojnë për të zëvendësuar humbjet në fushën e betejës.

"Numri që na nevojitet është i madh", u tha gazetarëve të mërkurën një zyrtar i lartë ukrainas, Yuri Shchygol, duke detajuar rezultatet e para të një fushate të re për mbledhjen e fondeve të quajtur "Ushtria e Dronëve". Ai tha se Ukraina fillimisht po kërkon të blejë 200 drone ushtarake të nivelit të NATO-s, por kërkon 10 herë më shumë.

Ushtarët ukrainas ankohen se thjesht nuk i kanë dronët e nivelit ushtarak të nevojshëm për të mposhtur bllokimin rus dhe rrëmbimin e kontrolluar nga radio. Modelet civile në të cilat mbështeten shumica e ukrainasve zbulohen dhe mposhten me lehtësi relative. Dhe nuk është e pazakontë që artileria ruse të bjerë mbi operatorët e tyre brenda disa minutave, nga zbulimi i një droni.

Krahasuar me muajt e parë të luftës, Bendett tani sheh më pak prova të rrëzimit të dronëve rusë. "Ukrainasit janë në litarë", tha ai.

Dronët turq

Duke i shtuar hallet e mbrojtësve: Heroi ukrainas i javëve të para të luftës, droni i prodhimit turk, Bayraktar TB-2, i drejtuar me laser, me bombë, është bërë më pak efektiv përballë mbrojtjes ajrore dhe elektronike më të dendur ruse në Ukrainën lindore. Ishte ylli i shumë videove patriotike të Ukrainës.

"Rusët janë në një pozitë shumë më të mirë sepse ata fluturojnë drone me rreze të gjatë", të krijuar për t'iu shmangur kundërmasave elektronike, tha kohët e fundit një udhëheqës i njësisë së zbulimit ajror ukrainas, për gazetarët e Associated Press, jashtë Bakhmutit, pranë vijës së frontit.

Në terren, njësitë më të shumta të luftës elektronike të Rusisë mund të ndërpresin komunikimin e pilotëve të dronëve, të ndërpresin videon e drejtpërdrejtë dhe ta lëshojnë automjetin nga qielli ose, nëse ka teknologji të kthimit në shtëpi, ta detyrojnë atë të tërhiqet.

Prandaj nevoja për dronë të avancuar, që mund t'u mbijetojnë ndërhyrjeve në radio dhe bllokimit të GPS-it dhe të mbështeten në komunikimet satelitore dhe teknologji të tjera për kontroll dhe navigim.

Nevoja më urgjente e Ukrainës është për dronë të aftë për të ndihmuar artilerinë perëndimore, me rreze më të gjatë veprimi, që sapo ka mbërritur të godasë objektiva të largëta, tha kapiteni detar, Maksym Muzyka, themelues i UA Dynamics, një prodhues ukrainas i dronëve.

Në mesin e qershorit, një këshilltar i lartë i presidentit Volodymyr Zelenskyy specifikoi në një postim në Twitter, duke renditur armatimet e ndryshme të dëshiruara, se Ukrainës i duhen 1000 dronë nëse dëshiron t'i japë fund luftës.

Dronët rusë

Stoku rus i dronëve ushtarakë me rreze të gjatë tejkalon atë të Ukrainës, por furnizimet e Kremlinit gjithashtu janë zvogëluar. Trupat ruse fluturojnë gjithashtu shumë kuadrokopterë prej 2.000 dollarësh, shpesh të furnizuar nga të afërmit dhe vullnetarët e ushtarëve, sipas postimeve në mediat sociale të gjurmuara nga studiuesja e dronëve, Faine Greenwood.

Një zëvendëskryeministër rus, që mbikëqyr industritë e armëve të Kremlinit, u ankua në një intervistë televizive muajin e kaluar se zhvillimi i dronëve para luftës nuk ishte më i fuqishëm. Yuri Borisov tha gjithashtu se Rusia po rrit prodhimin e një game të gjerë dronësh, “edhe pse kjo nuk mund të bëhet menjëherë”.

Rusia ka humbur rreth 50 nga modelet e saj më të bollshme të dronëve, Orlan-10, por me sa duket ka dhjetëra ose shumë të tjera, tha Bendett.

Një raport i ri nga Instituti britanik, RUSI, e vendos jetëgjatësinë aktuale të një droni ukrainas afërsisht një javë. Njësitë ruse të luftës elektronike po "imponojnë kufizime të rëndësishme në zbulimin ukrainas në thellësi" dhe Ukraina ka nevojë dëshpërimisht për dronët vrasës që kërkojnë radar, që mund t'i shkatërrojnë ato.

Siç qëndron, forcat ruse janë "në përgjithësi në gjendje të rrëzojnë zjarrin e saktë të artilerisë mbi objektivat (ukrainas) tre deri në pesë minuta" pasi një dron zbulues i ka identifikuar ato.

Një operator ukrainas i dronëve, që përdor shenjën e thirrjes Maverick, tha se shokët e tij pilotë shpesh shkojnë thellë pas linjave të armikut. Përndryshe, dronëve të tyre u mungon diapazoni për të korrigjuar zjarrin e artilerisë ukrainase. Kjo i vë ata vazhdimisht në vështrimin e artilerisë armike.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tjerë perëndimorë kanë dërguar qindra dronë, duke përfshirë një numër të paspecifikuar, Switchblade 600 "kamikaze", që mbajnë koka luftarake që shpojnë tanke. Ata mund të fluturojnë me shpejtësi 70 mph dhe të përdorin inteligjencën artificiale për të gjurmuar objektivat. Por diapazoni i tyre është i kufizuar dhe ata mund të qëndrojnë vetëm rreth 40 minuta.

Potencialisht me dobi më të madhe për të arritur në deponitë ruse të municioneve dhe postet komanduese, janë 121 dronët ushtarakë të avancuar të quajtur Phoenix Ghosts, që SHBA-ja bleu për Ukrainën në maj.

Specifikimet e tyre janë kryesisht sekrete, por ato mund të fluturojnë për gjashtë orë, të shkatërrojnë automjete të blinduara dhe të kenë kamera infra të kuqe, për misionet e natës, tha gjenerali në pension i Forcave Ajrore, David Deptula, anëtar bordi i prodhuesit Aevex Aerospace.

Dronë të tjerë të përshtatshëm në mënyrë të ngjashme për zbulimin e artilerisë kushtojnë secili nga 25 mijë dollarë.

Rreth 70 për qind e afërsisht 200 Furiave, që Ukraina bleu pasi Rusia nisi armiqësitë në vitin 2014, janë rrëzuar, tha Artem Vyunnyk, themelues i prodhuesit Athlon Avia. Prodhimi po rifillon në një fabrikë të re, tha ai, por vetëm furnizuesit vendas nuk mund të fillojnë të mbushin boshllëkun e Ukrainës me dronë.

Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë së Ukrainës nuk iu përgjigj pyetjeve në lidhje me mjetet ajrore pa pilot që kërkon nga aleatët. Zëdhënësja e Pentagonit, Jessica Maxwell, gjithashtu nuk pranoi të komentojë kërkesat e Ukrainës për dronë.

Dronët vetëvrasës

Por Shchygol, kreu i shërbimit shtetëror të Ukrainës për komunikim special, e bëri të qartë të mërkurën se përparësitë përfshijnë dronët "kamikaze" dhe modelet e afta për t'i mbijetuar perdes së trashë të luftës elektronike të Rusisë.

Raketat e para të gjuajtura ndaj një armiku, nga një dron amerikan, erdhën në vitin 2001, kundër talebanëve në Afganistan. Që atëherë, dronët janë bërë pjesë përbërëse e luftës moderne, duke përfshirë luftën civile siriane dhe luftën e shkurtër, por intensive, të vitit 2020 midis Armenisë dhe Azerbajxhanit, mbi rajonin e diskutueshëm të Nagorno-Karbakh.

Përhapja e tyre ka shkaktuar një industri të tërë të përkushtuar ndaj kundërmasave.

Pajisjet antidronë të furnizuara në Ukrainë nga kompanitë perëndimore përfshijnë pajisje që mund të identifikojnë jo vetëm vendndodhjen e një droni, por markën dhe modelin e tij bazuar në frekuencat radio që ai përdor. Më pas e di se si ta çaktivizojë më së miri dronin.

Loja gjithnjë e më komplekse elektromagnetike si macja me miun e bën Ukrainën qendrën më të madhe në botën e inovacionit ushtarak.

“Të gjithë duan dronë, dronë specialë, të papërmbajtshëm dhe çfarëdo tjetër”, tha Thorsten Chmielus, themelues i kompanisë gjermane, Aaronia, e cila ka kontribuuar me teknologji në Ukrainë.

Përparimi i shpejtë çon në makthin e tij: "Të gjithë do të kenë miliona dronë që nuk mund të mposhten".

Përktheu: Forca Jashari