Botë

Gjermanëve u kërkohet të përgatiten për ndërprerje të gazit nga Rusia

Kreu i Agjencisë Rregullatore gjermane për energjinë u ka kërkuar qytetarëve gjermanë të kursejnë energji dhe të përgatiten për dimër, kur përdorimi rritet, nga frika se Rusia mund të ndërpresë furnizimet me gaz natyror.

Presidenti i agjencisë, Klaus Mueller, u bëri thirrje pronarëve të shtëpive dhe apartamenteve që të kontrollojnë dhe rregullojnë radiatorët e tyre me gaz për të maksimizuar efikasitetin e tyre, raportoi Sky News të shtunën.

"Mirëmbajtja mund të zvogëlojë konsumin e gazit nga 10% në 15%”, i tha ai Funke Mediengruppe, një botues gazete dhe reviste gjermane.

Ai tha se familjet duhet të fillojnë të flasin tani rreth asaj "nëse çdo dhomë duhet të mbahet në temperaturën e saj të zakonshme në dimër, ose nëse disa dhoma mund të jenë pak më të ftohta".

Apeli erdhi pasi Rusia reduktoi flukset e gazit në Gjermani, Itali, Austri, Republikën Çeke dhe Sllovaki në fillim të këtij muaji, ndërsa vendet e Bashkimit Evropian përpiqen t’i rimbushin objektet e magazinimit me karburantin e përdorur për të prodhuar energji elektrike.