Botë

Java e vështirë e Putinit përballë Perëndimit

Përpara luftës, Rusia këmbënguli në garancitë detyruese që e përjashtonin zgjerimin e NATO-s në Ukrainë dhe në vende të tjera ish-sovjetike dhe kërkoi një kthim prapa të angazhimit të aleancës ushtarake në Evropën Lindore.

Nuk ka qenë një javë e lehtë për presidentin rus, Vladimir Putin. Ai bëri udhëtimin e tij të parë jashtë vendit, që nga pushtimi i Ukrainës, për të forcuar marrëdhëniet me aleatët problematikë të Azisë Qendrore. Ai shikonte teksa NATO-ja e shpalli Moskën armiken e saj kryesore dhe ftoi fqinjët e Rusisë, Suedinë dhe Finlandën që t'i bashkoheshin aleancës. Dhe ai u detyrua të mohonte se trupat e tij kishin sulmuar sërish një objekt civil në Ukrainë.

Duke iu kundërvënë shfaqjes së unitetit perëndimor mbi Ukrainën, në një seri samitesh në Evropë këtë javë, Putini ka kërkuar që lëvizjet e SHBA-së dhe aleatëve të saj t'i paraqesë si provë të planeve të tyre armiqësore dhe ai u zotua ta shtyjë ofensivën kundër fqinjit të Rusisë, tani në muajin e pestë.

Putini prej kohësh e ka përshkruar zgjerimin e NATO-s në kufijtë e Rusisë si kërcënimin kryesor të sigurisë për vendin e tij. Kur dërgoi trupa në Ukrainë më 24 shkurt, ai përmendi lidhjet gjithnjë e më të ngushta ushtarake midis Kievit dhe Perëndimit, si një arsye kryesore pas veprimit të tij.

Agresioni i Rusisë, kundër fqinjit të saj, ka ndihmuar në fortësimin e unitetit perëndimor, me aleatët që ofrojnë miliarda dollarë armë dhe ndihmë për Kievin dhe ka goditur Rusinë me sanksione të paprecedentë që ngrinë rezervat e saj valutore, synonin naftën dhe ekspertë të tjerë kyç dhe ndaluan avionët e saj nga qielli evropian.

Pushtimi gjithashtu e shtyu NATO-n të vendoste më shumë trupa dhe armë në territoret e anëtarëve të saj në Evropën Lindore dhe e inkurajoi Suedinë dhe Finlandën të braktisnin neutralitetin e tyre dhe të kërkonin anëtarësimin në NATO.

Akuzat ndaj SHBA-së

Në Samitin e saj në Madrid, të mërkurën, aleanca ftoi zyrtarisht të dy vendet të bashkohen dhe e shpalli Rusinë "kërcënimin më të rëndësishëm dhe të drejtpërdrejtë" për paqen dhe sigurinë e anëtarëve të saj.

Putini, i cili vizitoi Turkmenistanin, të mërkurën, për të marrë pjesë në një samit të Detit Kaspik, me tre ish-kombe sovjetike dhe Iranin, u përgjigj duke thënë se veprimet e NATO-s dëshmuan fokusin e saj anti-rus, ndërsa pranoi se veprimi i tij i ndihmoi aleatët perëndimorë të forconin radhët e tyre.

Në Samitin, në Ashgabat, Putini dhe pjesëmarrësit e tjerë nuk e përmendën luftën në Ukrainë në komentet e tyre publike. Në një komunikatë pas bisedimeve, ata theksuan marrëveshjen e tyre për të ndaluar çdo ushtri të huaj nga Deti Kaspik dhe nënvizuan një zotim për të mos ofruar territoret e tyre për agresion kundër një vendi tjetër në brigjet e tij.

Gjatë një takimi me presidentin iranian, Ebrahim Raisi, në margjinat e Samitit, Putini theksoi lidhjet "strategjike" midis Moskës dhe Teheranit.

Duke folur me gazetarët në Turkmenistan, Putini akuzoi se SHBA-ja “ka qenë duke kërkuar prej kohësh një armik të jashtëm, për një kërcënim që do të ndihmonte në mbledhjen e aleatëve”, duke shtuar se “Irani nuk ishte mjaft i mirë për atë rol dhe Rusia përshtatej shumë më mirë”.

"Ne u kemi dhënë atyre një shans për të bashkuar të gjithë aleatët", tha Putini, duke vënë në dukje se vendimet e Samitit të NATO-s ofrojnë një provë të re se grupi perëndimor "është një relikt i Luftës së Ftohtë, që synon të shërbejë si një instrument i politikës së jashtme të SHBA-së për të mbajtur në kontroll satelitët e saj”.

Përpara luftës, Rusia këmbënguli në garancitë detyruese që përjashtonin zgjerimin e NATO-s në Ukrainë dhe vende të tjera ish-sovjetike dhe kërkoi një kthim prapa të angazhimit të aleancës ushtarake në Evropën Lindore. SHBA-ja dhe aleatët e saj i kundërshtuan me vendosmëri kërkesat, duke theksuar se një parim kyç i aleancës është se anëtarësimi është i hapur për çdo vend kualifikues dhe asnjë i huaj nuk ka të drejtën e vetos.

Forcimi i NATO-s

Në të njëjtën kohë, Washingtoni dhe NATO ofruan të diskutonin kontrollin e armëve, masat e ndërtimit të besimit, transparencën më të madhe dhe reduktimin e rrezikut, çështje që Moska i shmangu si dytësore ndaj kërkesave të saj kryesore të sigurisë.

Deri në pushtim, Kremlini mohoi të kishte plane për të sulmuar, por paralajmëroi Perëndimin se zgjerimi i NATO-s në Ukrainë dhe vende të tjera ish-sovjetike është një "vijë e kuqe", që nuk duhet të kalohet.

Putini pretendoi se Perëndimi kishte "mashtruar në mënyrë të hapur" Moskën, duke ofruar premtime verbale në vitet 1990, për të mos zgjeruar NATO-n drejt lindjes dhe më pas e zgjeroi atë për të përfshirë vendet e ish-bllokut sovjetik në Evropën Qendrore dhe Lindore dhe ish-republikat sovjetike në Baltik.

Të enjten, ai foli me inatin e tij të zakonshëm për ato që ai i përshkroi si përpjekjet perëndimore për të dekurajuar Ukrainën që të ulet për bisedime me Rusinë, për të negociuar përfundimin e armiqësive.

“Thirrjet drejtuar Ukrainës për të vazhduar luftën dhe për të braktisur çdo negociatë të mëtejshme konfirmojnë besimin tonë se Perëndimi i bashkuar dhe NATO nuk kujdesen për Ukrainën apo interesat e popullit ukrainas dhe se qëllimi i tyre është të mbrojnë interesat e tyre”, tha Putini. “Anëtarët kryesorë të NATO-s po përdorin popullin ukrainas për të përforcuar pozicionet dhe rolin e tyre në botë, për të riafirmuar hegjemoninë dhe ambiciet e tyre perandorake”.

Ftesat e NATO-s

Duke komentuar ftesën e NATO-s për Finlandën dhe Suedinë, Putini hodhi poshtë përshkrimin perëndimor të masës, si një humbje e madhe për Rusinë.

“Sa i përket supozimit se ne po luftonim kundër zgjerimit të NATO-s në Ukrainë, por tani kemi Suedinë dhe Finlandën për t'u marrë, nuk ka asnjë substancë pas kësaj, sepse për ne anëtarësimi në NATO i Finlandës dhe Suedisë nuk është aspak i njëjtë me potencialin e anëtarësimit të Ukrainës”, tha ai.

Suedia dhe Finlanda janë të lira të bëjnë çfarë të duan, tha ai, por vuri në dukje se "ne do duhet të përgjigjemi plotësisht nëse kontingjentet ushtarake dhe infrastruktura vendosen atje dhe krijojnë të njëjtat kërcënime për territoret ku ato janë krijuar për ne".

Ai tha se Rusia nuk ka mosmarrëveshje territoriale me ato vende, ndryshe nga Ukraina, e cila ka deklaruar një synim për të rifituar Krimenë që Rusia aneksoi në vitin 2014, dhe për të rimarrë kontrollin mbi rajonet separatiste të mbështetura nga Moska në lindje, të njohura si Donbasi.

“Ukraina është një çështje krejtësisht tjetër”, tha Putini. "Ata po e kthenin Ukrainën në një anti-Rusi, një urë lidhëse për përpjekjet për të destabilizuar Rusinë".

Ai përshëndeti forcat e tij në Ukrainë si "heronj" që mbrojnë sigurinë e Rusisë dhe tha se "operacioni ushtarak special" do të vazhdojë derisa të arrihen qëllimet e tij për "çlirimin e Donbasit, mbrojtjen e popullit të tij dhe krijimin e kushteve që do të garantojnë sigurinë e vetë Rusisë".

Putini mohoi gjithashtu se forcat ruse kishin shënjestruar një qendër tregtare të zënë në qytetin qendror të Ukrainës, Kremenchuk, duke thënë se vendi i tij nuk godet objektet civile dhe duke pretenduar se sulmi ajror ishte drejtuar në një depo armësh aty pranë, duke i bërë jehonë komenteve të zyrtarëve të tij ushtarakë.

Por kjo u kundërshtua nga zyrtarët dhe dëshmitarët ukrainas, të cilët thanë se një raketë ruse goditi drejtpërdrejt qendrën tregtare, duke vrarë të paktën 18 persona, duke plagosur dhjetëra të tjerë dhe duke lënë 20 të tjerë të zhdukur. Më herët gjatë luftës, Rusia goditi një spital, teatër, ndërtesa banimi dhe një stacion hekurudhor të mbushur me civilë kalimtarë.

Putini tha se veprimet në Ukrainë "po ecin sipas planit" dhe "forcat tona po ecin përpara dhe po arrijnë objektivat që janë vendosur për periudhën e caktuar të angazhimit", duke shtuar se ai nuk do të nxitonte operacionin për të minimizuar humbjet.

Drejtori i Inteligjencës kombëtare të SHBA-së, Avril Haines, tha se Putini me sa duket ka kaluar përtej zhgënjimit nga dështimi për të mposhtur shpejt Ukrainën dhe tani mund të shpresojë se nëse Rusia arrin të shtypë ushtrinë ukrainase në Donbas, “kjo do të çojë në një rënie në thelb të rezistencës ukrainase dhe që kjo mund t'u japë atyre mundësi më të mëdha”.

Përktheu: Forca Jashari