Botë

Polarizimi i botës me çështjen e abortit

Në vendet më konservatore, si El Salvadori, ku abortet janë të paligjshme, pavarësisht rrethanave, dhe ku rreth 180 gra me urgjenca obstetrike janë ndjekur penalisht në dy dekadat e fundit, vendimi mund të frymëzojë akoma më shumë përpjekje për t’i hequr kufizimet e abortit jashtë SHBA-së.

Fundi i mbrojtjes kushtetuese për abortet në Shtetet e Bashkuara të premten i inkurajoi kundërshtarët e abortit në mbarë botën, teksa mbrojtësit e të drejtave të abortit shqetësohen se kjo mund t’i kërcënojë lëvizjet e fundit drejt legalizimit në shtetet e tyre.

Përmbysja e ligjit të kamotshëm historik, Roe v Wade, nga Gjykata Supreme e Shteteve të Bashkuara “tregon se këto lloj të drejtash janë gjithmonë në rrezik për t'u zhveshur”, tha Ruth Zurbriggen, aktiviste argjentinase dhe anëtare e Rrjetit shoqërues të Amerikës Latine dhe Karaibeve, grup që favorizon të drejtat e abortit.

Mirëpo në El Salvador, aktivistja kundër abortit, Sara Larin, shprehu shpresën se vendimi do t’i forcojë fushatat kundër procedurës në mbarë globin.

“Unë besoj se me këtë vendim do të jetë e mundur të anulohet aborti në Shtetet e Bashkuara dhe në mbarë botën”, tha Larin, presidente e Fundacion Vida SV.

Në Kenia, Phonsina Archane i shikoi lajmet e vendimit të së premtes dhe tha se ngriu për një kohë në gjendje paniku.

“Kjo po bëhet në Amerikë, e cila duhet të jetë shembull kur bëhet fjalë për lëvizjen për të drejtat e grave”, tha Archane, aktiviste për të drejtat e abortit. “Nëse kjo po ndodh në Amerikë, po për mua këtu në Afrikë? Është një ditë shumë, shumë e trishtuar”.

Ajo shqetësohet se vendimi do t’i inkurajojë kundërshtarët e abortit në të gjithë Afrikën, të cilët janë akuzuar në klinikat e shëndetit riprodhues ose kanë kërcënuar për sulme. “Nuk ka asnjë vend të sigurt në kontinent”, tha ajo.

Frika për Afrikën

Aborti në Afrikën Nënsahariane është tashmë më i pasigurt se në çdo rajon tjetër të botës dhe shumica dërrmuese e grave të moshës për të lindur fëmijë jetojnë në vende ku ligjet e abortit janë shumë ose mesatarisht të kufizuara, sipas Institutit Guttmacher, organizatë kërkimore me bazë në New Jork, që i mbështet të drejtat e abortit.

Archane tha se grupet e shoqërisë civile në Afrikë do duhet të bashkohen për të hartuar strategji se si të mbajnë veten dhe gratë të sigurta. Vetëm muaj më parë, shumë panë shpresë kur Organizata Botërore e Shëndetësisë lëshoi ​​udhëzime për kujdesin cilësor të abortit, tha ajo. “Ne kishim një hap përpara dhe tani duhet të kthehemi përsëri pesë hapa prapa”.

Vendimi, i cili ua lë në dorë shteteve amerikane që të vendosin nëse do t’i lejojnë ose t’i ndalojnë abortet, ndezi mediat sociale në të gjithë Argjentinën, ku një ligj që legalizonte abortin me zgjedhje deri në javën e 14-të të shtatzënisë hyri në fuqi në janar të vitit 2021, pas disa vjetësh debate.

Aktivistët kundër abortit brohoritën vendimin, me ligjvënësen Amalia Granata, duke postuar në Twitter: “Ka përsëri drejtësi në botë. Këtë do ta arrijmë edhe në Argjentinë”!!

Image

Shtetet konservatore

Në vendet më konservatore, si El Salvadori, ku abortet janë të paligjshme, pavarësisht rrethanave, dhe ku rreth 180 gra me urgjenca obstetrike janë ndjekur penalisht në dy dekadat e fundit, Larin paralajmëroi se vendimi mund të frymëzojë akoma më shumë përpjekje për t’i hequr kufizimet e abortit jashtë SHBA-së.

"Fushatat që promovojnë abortin mund të intensifikohen në vendet tona, sepse financimi dhe klinikat e abortit në Shtetet e Bashkuara do të mbyllen, siç kanë bërë në vitet e fundit", tha ajo.

Në Vatikan, kreu i Akademisë Papnore për Jetën, kryepeshkopi Vincenzo Paglia, u bashkua me peshkopët amerikanë, duke thënë se është kohë për reflektim, shërim të plagëve dhe dialog civil.

“Fakti që një vend i madh me një traditë të gjatë demokratike ka ndryshuar pozicionin e tij për këtë çështje, e sfidon gjithashtu të gjithë botën”, tha ai.

Në Meksikë, avokatja dhe aktivistja Veronica Cruz tha se vendimi mund t'u japë shtysë grupeve kundër abortit, por shtoi se ka të ngjarë të mos ketë ndonjë ndikim në Meksikë, ku 10 nga 32 shtetet e vendit kanë legalizuar abortin deri në 12 javë të shtatzënisë.

Ajo vuri në dukje se vendimi mund të çojë në rritje të thirrjeve për ndihmë nga gratë amerikane që kërkojnë abort. Deri më tani, këtë vit, aktivistët lokalë kanë ndihmuar rreth 1500 gra amerikane që të marrin pilulat e abortit, tha Cruz.

Kundërshtime të ashpra

Ricardo Cano, me grupin kundër abortit, Frontit Kombëtar për Jetën, dyshon gjithashtu se vendimi do të kishte ndonjë ndikim në Meksikë ose diku në Amerikën Latine, duke pasur parasysh përparimin e ideologjive të majta në rajon.

Kolumbia, e cila u bë në shkurt vendi më i fundit i Amerikës Latine që zgjeroi aksesin ndaj abortit, gjithashtu nuk do të preket nga vendimi, tha Catalina Martinez Coral, drejtoreshë për Amerikën Latine dhe Karaibe për Qendrën për të Drejtat Riprodhuese.

Përpara udhëtimit të presidentit amerikan, Joe Biden, jashtë shtetit, krerët e të paktën dy shteteve të G-7-s, e cilësuan vendimin si shumë të tmerrshëm.

“Asnjë qeveri, politikan apo burrë nuk duhet t'i thotë një gruaje se çfarë mund dhe nuk mund të bëjë me trupin e saj”, tha kryeministri kanadez, Justin Trudeau, duke shtuar se ai “nuk mund ta imagjinojë frikën dhe zemërimin” që gratë në SHBA duhet të përjetojnë pas vendimit.

Ministria e Jashtme franceze u kërkoi autoriteteve federale amerikane “të bëjnë gjithçka që është e mundur” për të siguruar që gratë amerikane të kenë qasje të vazhdueshme në aborte, duke e quajtur atë “çështje të shëndetit dhe të mbijetesës”. Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, shtoi në një postim në Twitter se “aborti është e drejtë themelore e të gjitha grave”.

Kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern, tha: “Të shohësh heqjen e të drejtës themelore të një gruaje për të marrë vendime mbi trupin e tyre është tepër shqetësuese. Këtu, në Zelandën e Re kohët e fundit ne ligjësuam dekriminalizimin e abortit dhe për ta trajtuar atë si një çështje shëndetësore dhe jo penale.

Tedros Adhanom Ghebreyesus, kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, tha në Twitter se ishte "i shqetësuar dhe i zhgënjyer" nga vendimi, duke thënë se redukton si "të drejtat e grave dhe aksesin në kujdesin shëndetësor".

Agjencia e OKB-së, që merret me shëndetin seksual dhe riprodhues, tha se edhe nëse aborti është i ligjshëm, apo jo, gjë që "ndodh shumë shpesh", dhe të dhënat globale tregojnë se kufizimi i qasjes e bën abortin më vdekjeprurës.

Fondi i Kombeve të Bashkuara për Popullsinë, në ​​një deklaratë pas vendimit të Gjykatës Supreme vëri në dukje se raporti i tij i vitit 2022 thoshte se gati gjysma e të gjitha shtatzënive në mbarë botën janë të paqëllimshme dhe mbi 60% e këtyre shtatzënive mund të përfundojnë me abort.

"45% e të gjitha aborteve në mbarë botën janë të pasigurta, duke e bërë këtë një shkak kryesor të vdekjes së nënës", tha agjencia.

Ai tha se pothuajse të gjitha abortet e pasigurta ndodhin në vendet në zhvillim dhe ka frikë se "më shumë aborte të pasigurta do të ndodhin në mbarë botën nëse aksesi në abort bëhet më i kufizuar".

Në të vetmen pjesë të Amerikës Latine të prekur drejtpërdrejt nga vendimi, Puerto Rico, Senati i ishullit aprovoi të martën një projektligj që do të ndalonte abortet pas 22 javësh ose kur një mjek përcakton se një fetus është i shëndetshëm, me përjashtimin e vetëm nëse jeta e një gruaje është në rrezik. Projektligji është tani përpara Dhomës së Përfaqësuesve të ishullit.

Migna Rivera Garcia, presidente e Shoqatës së Psikologëve të Puerto Rikos, tha se vendimi i Gjykatës Supreme të SHBA-së, i ka shtyrë aktivistët e të drejtave të abortit të riformulojnë strategjinë e tyre.

"Shkakton shumë pasiguri duke pasur parasysh mjedisin tani në Puerto Riko", tha ajo. “Ky projektligj dëmton më së shumti gratë e varfra dhe gratë me ngjyrë... Ato nuk kanë akses në shërbime si grupet e tjera shoqërore”.

Përktheu: Forca Jashari