Botë

Izraeli falënderon Turqinë për parandalimin e një sulmi iranian ndaj izraelitëve

Ministri i Jashtëm izraelit, Yair Lapid, ka falënderuar Turqinë të enjten, pasi sipas tij, shteti turk ka ndihmuar në parandalimin e një sulmi iranian ndaj disa izraelitëve në Stamboll, shkruan “Al Jazeera”.

Autoritetet turke kanë njoftuar për arrestimin e pesë iranianëve të dyshuar për planifikimin e sulmeve ndaj shtetasve izraelitë.

Lapidi paralajmëroi se Izraeli nuk do të “qëndrojë duarkryq" përballë kërcënimeve të Iranit ndaj qytetarëve të tij.

“Jetët e qytetarëve izraelitë janë shpëtuar javët e fundit falë sigurisë dhe bashkëpunimit diplomatik midis Izraelit dhe Turqisë. Nuk po flasim vetëm për vrasjen e turistëve të pafajshëm izraelitë, por edhe për shkelje të qartë të sovranitetit turk nga terrori iranian. Besojmë se Turqia di si t'u përgjigjet iranianëve për këtë çështje”, ka thënë Lapidi gjatë një vizite në Turqi.

Lapidi ka arritur në Turqi të enjten për bisedime me homologun turk, Mevlut Cavusoglu, derisa të dyja vendet vazhdojnë me përpjekjet për të rregulluar marrëdhëniet e tensionuara për mbështetjen e fortë të Turqisë për palestinezët.

Gjatë këtij muaji, Izraeli ka lëshuar një paralajmërim për qytetarët e tij që të shmangin udhëtimet në Turqi dhe u bëri thirrje izraelitëve në Turqi që të largohen nga atje, pasi mund të jenë objektiva të sulmeve iraniane.