Botë

Mbi 20 të vrarë nga sulmet ruse me raketa në Kharkiv

Të paktën 20 persona dyshohet se janë vrarë në një sulm rus me raketa në qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, Kharkiv dhe në fshatrat përreth, raportoi të mërkurën Reuters.

Këtë sulm vdekjeprurës, Kievi zyrtar e ka quajtur përpjekje për ta detyruar atë të tërheqë trupat mbrojtëse nga fusha kryesore e betejës.

Sulmet ruse në Kharkiv gjatë së martës, të cilat kanë vazhduar edhe të mërkurën në mëngjes, vlerësohen si më të rëndat për më shumë se një muaj në këtë zonë.

Punonjësit mjekësorë nxorën trupin e një gruaje të moshuar nga rrënojat e një garazhi të djegur, ku ndodhej edhe një furgon.

"Ajo ishte 85 vjeç. Një fëmijë i luftës (Luftës së Dytë Botërore). Ajo i mbijetoi një lufte, por nuk ia doli me këtë. Gjyshja nuk donte të shkonte askund nga këtu”, ka thënë Mykyta, nipi i viktimës.

Autoritetet ukrainase kanë thënë se 15 njerëz janë vrarë dhe 16 janë plagosur të martën në rajonin e Kharkivit, ndërsa edhe pesë të tjerë vdiqën nga bombardimet gjatë mëngjesit të së mërkurës.

“Forcat ruse tani po godasin qytetin e Kharkivit në të njëjtën mënyrë siç e goditën Mariupolin më parë, me qëllim të terrorizimit të popullatës”, tha në një video-adresim këshilltari presidencial ukrainas, Oleksiy Arestovych.