Botë

Britania do t’u ofrojë vaksina homoseksualëve për linë e majmunëve

Britania do t’u ofrojë vaksina homoseksualëve për linë e majmunëve

Zyrtarët shëndetësorë britanikë do të fillojnë të ofrojnë vaksina për disa burra që janë gej dhe biseksual ose që kanë marrëdhënie seksuale me burra, të cilët janë në rrezik të lartë të preken me linë e majmunëve, raportoi të martën AP-ja.

Agjencia për Sigurinë e Shëndetit e Britanisë ka thënë se mjekët mund të marrin në konsideratë vaksinimin e disa burrave që mund të jenë të ekspozuar, të cilët i kanë quajtur si persona me “shumë partnerë, që marrin pjesë në marrëdhënie seksuale në grup”.

“Duke zgjeruar ofrimin e vaksinës për ata që janë në rrezik më të lartë, shpresojmë ta këpusim zinxhirin e transmetimit dhe të ndihmojmë ta parandalojmë shpërthimin”, tha kreu i agjencisë për imunizim, Mary Ramsay.

Muajin e kaluar, një këshilltar nga OBSH-ja tha se shpërthimi i lisë së majmunëve jashtë Afrikës me shumë gjasë ishin përhapur nga aktiviteti seksual i burrave në Spanjë dhe Belgjikë.

Deri tash, mbi 99% e rasteve me linë e majmunëve në Britani janë te burrat, dhe shumica e tyre janë gej, biseksual ose që kanë pasur marrëdhënie seksuale me burra.