Botë

NATO-ja beson se lufta në Ukrainë do të vazhdojë për kohë të gjatë

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg

Lufta në Ukrainë do të mbarojë në tryezën e negociatave, ka deklaruar të enjten Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, pas takimit të zhvilluar me presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, zëvendëspresidenten Kamala Harris dhe këshilltarin e sigurisë kombëtare, Jake Sullivan.

Duke mos thënë një datë të saktë se kur mendon që mund të përfundojë lufta e nisur nga Rusia në Ukrainë, sikurse SHBA-ja, edhe Stoltenberg beson se të gjithë duhet të përgatiten për një kohë të gjatë, njoftoi të enjten CNN-i.

Me këtë rast, sipas tij, Ukraina vazhdon të ketë nevojë për mbështetjen e NATO-s, pasi po paguan çmim të rëndë për mbrojtjen e territorit të saj në fushëbetejë.

Stoltenberg përgëzoi SHBA-në për përkrahjen e saj ndaj Ukrainës.

“Mbështetja e SHBA-së po bën një ndryshim në fushën e betejës çdo ditë", ka thënë ai.

Sa i përket bllokimit të Turqisë për anëtarësimin e Suedisë dhe Finlandës në NATO, Stoltenberg ka shprehur besimin se do të zgjidhet.

“Kur një aleat ngre shqetësime, ne duhet të bëjmë atë që bëjmë gjithmonë dhe kjo është të ulemi, t’i adresojmë ato shqetësime, pastaj të gjejmë një rrugë të përbashkët para. Ne jemi në kontakt të ngushtë me Ankaranë. Ka kontakte të ngushtë edhe me Suedinë dhe Finlandën sa i përket kësaj çështje”, ka thënë ai.

Stoltenberg ka shtuar se do të thërrasë takim me zyrtarë të lartë nga Stokholmi, Helsinki dhe Ankaraja në ditët në vijim.