Botë

NATO-ja paralajmëron takim në Bruksel mes Turqisë dhe Suedisë e Finlandës

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se do të thërrasë takim në Bruksel në ditët në vijim me zyrtarë të lartë nga Suedia, Finlanda dhe Turqia, për të diskutuar kundërshtimin e Ankarasë zyrtare ndaj anëtarësimit të dy vendeve nordike në aleancë.

“Jam në kontakt të ngushtë me presidentin Erdogan dhe me liderët e Finlandës dhe Suedisë”, ka thënë Stoltenberg në një konferencë shtypi në Washington me Sekretarin amerikan të shtetit, Antony Blinken, të mërkurën.

Blinken tha se ka një "konsensus të fortë brenda NATO-s, gjerësisht, për të mbështetur pranimin e shpejtë të Suedisë dhe Finlandës në aleancë".

Ai ka shprehur bindjen se kjo do të ndodhte.

Suedia dhe Finlanda kanë paraqitur javë më parë aplikimet e tyre për anëtarësim në NATO, derisa i vetmi shtet anëtar që e ka kundërshtuar hyrjen e tyre në aleancë është Turqia.