Botë

Ukraina i kërkon SHBA-së ta furnizojë me raketa të rrezes 70-kilometërshe

Oleksiy Arestovych, këshilltar i presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, deklaroi se raketat amerikane me rreze veprimi prej 70 kilometrash, do të ishin të mjaftueshme për ushtrinë ukrainase ndaj ofensivës ruse.

Ai tha se raketat “MLRS”, që njihen si raketa me rreze të gjatë, do të ishin shumë të nevojshme, ndonëse presidenti i SHBA-së, Joe Biden, deklaroi të hënën se këtë furnizim nuk do ta bëjë, raportoi BBC-ja të martën.

“Nëse ajo (SHBA-ja v.j) nuk planifikon të na japë raketa 300-kilometërshe, ato 70-kilometërshe do të ishin më së të mjaftueshme”, deklaroi Arestovych.

Zelensky dhe zyrtarët ukrainas kanë kërkuar shpërndarjen e MLRS-ve për t’iu kundërpërgjigjur bombardimeve masive të Rusisë në rajonin lindor të Donbasit.